Veseli: Rinia e PDK-së po rritet fuqishëm

Prishtinë | 08 Kor 2018 | 17:56 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur Konventën Solemne në të cilën morën pjesë të rinjtë e PDK-së nga të gjitha komunat e Kosovës.

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, në fillim të fjalimit të tij tha se sot qenka hijeshuar e gjithë Prishtina me prezencën e të gjithë të rinjve të PDK-së nga komunat e Kosovës.

Sipas Veselit, kur është e fortë rinia e PDK-së, është e fortë e gjithë Kosova, raporton Ekonomia Online.

“Dje ishte ditë shprese, besimi për rininë e Kosovës, për të gjithë qytetarët, për shtetin tonë, mijëra vajza dhe djem të bashkuar në PDK po nisin rrugëtimin e ri, po nisin përkushtimin e ri për vendin, po nisim dekadën e re, rinia e PDK-së po rritet fuqishëm dhe ju jeni e tashmja dhe e ardhmja e vendit”, tha Veseli drejtuar të rinjve të Partisë Demokratike të Kosovës.

Veseli uroi kryetarin e ri të rinisë së PDK-së, Donjet Bislimin, Këshillin e ri Drejtues dhe strukturën rinore për punën e jashtëzakonshme që kanë bërë, sipas tij.

“Në 3 muajt e fundit kemi udhëtuar në çdo vend të Kosovës per të takuar mijëra vajza dhe djem të rinj dhe ishte përvojë e jashtëzakonshme për mua. Kam dëgjuar idetë e të rinjve për shkollën, shtëpinë, qytetin dhe problemet e tyre. I kam dëgjuar shpresat e tyre për të ardhmen e të rinjve të Kosovës. Ata besojnë në PDK dhe duan të jenë pjesë e saj. Ata janë sot me ne, ata janë vetë partia e PDK-së në dekadën e re”, shtoi Veseli.

“E dashur rini, në dy dekadat e fundit Kosova ka bërë progres të madh, askush nuk do ta besonte këtë, por ky është fakt i pamohueshëm. Atdheu ynë është i lirë dhe shtëpi e sigurt për çdo kategori. Njerëzit tanë jetojnë më mirë dhe kjo e mban vulën e PDK-së dhe secili nga ne duhet të ndihet krenar për këtë”, tha Veseli.

“PDK është e gatshme për të bërë edhe më shumë për Kosovën dhe ne do ta bëjmë këtë, nuk do të ndalemi, do të mposhtim çdo sfidë me devotshmëri dhe ky është zotimi ynë”, tha ai.

Ish-kryetarja e rinisë së PDK-së, Shpresa Rama, tha se shpreson që rinia e PDK-së të rritet sa më shumë dhe të ketë hapësirë në vendimmarrje. Po ashtu ajo e uroi edhe kryetarin e ri të rinisë për pozitën që ka marrë në PDK, raporton EO.

“Shteti i Kosovës ka shënuar arritje të mëdha falë angazhimit të PDK-së. Mësuesit, profesorët, mjekët, policët e shumë të tjerë kanë paga të dinjitetshme, kemi infrastrukturën më moderne, shkollat më të mira, e të tjera dhe secili nga ju është pjesë e këtyre historive, por e dimë që ka nevojë për zhvillim edhe më të madh. Për të vazhduar për të ndodhur këto ndryshime është garancë vetëm programi i PDK-së”, tha Rama.

Kryetari i sapozgjedhur i Rinisë së PDK-së, Donjet Bislimi, falënderoi rininë e PDK-së për besimin që i kanë dhënë për t’u përzgjedhur si prijësi i rinisë së PDK-së.

“Sot unë dhe ju, ne të gjithë së bashku, do hapërojmë me hapa të sigurt drejt fazës përfundimtare të dekadës më të rëndësishme të shtetit tonë të dekadës së re të ideuar nga Kadri Veseli, ashtu siç bëmë dje edhe sot them që së bashku të gjithë ne nga çdo qytet, nga çdo fshat e regjion i Kosovës të rrugëtojmë së bashku në trasenë e shtruar nga liderët tanë”, tha Bislimi.

“Së bashku me ide tona, aktivitete tona e punë do bëjmë rininë e PDK-së krahun e djathtë të partisë sonë. Ne do të jemi zëri i të rinjve të Kosovës, do të jemi fryma e dekadës së re dhe do të përfaqësojmë të rinjtë pa dallim, sepse në PDK do të jemi të gjithë të barabartë”, shtoi Bislimi.

Të ngjashme