Veseli: Shqiptarët nuk dorëzuan asnjë hebre në duart e nazistëve

Prishtinë | 25 Jan 2018 | 20:01 | Nga

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, sot, në shënimin e Ditës së Holokaustin, e ka cilësuar atë si një prej krimeve më mizore në historinë e njerëzimit dhe dëshminë më tragjike se deri ku mund të shkojnë pushtetet e mbështetura mbi urrejtjen grupore dhe paragjykimet racore.

Veseli tha se Holokausti është dëshmia më tragjike që na tregon për rrezikun e përhershëm që na kanoset nga ideologjitë ekstremiste dhe antidemokratike.

“Fashizmi dhe komunizmi, që përgjakën botën gjatë shekullit të XX, tanimë i takojnë historisë, por ne, sot, prapë kërcënohemi prej ideologjive që ngrisin në ideal urrejtjen e një grupi kundër një grupi tjetër, të një populli kundër një populli tjetër, të një feje kundër një feje tjetër”, theksoi Veseli.

Ai shtoi se sot bota ka nevojë të dëgjojë zërin e viktimave të Holokaustit, por njëkohësisht edhe zërin e mijëra e mijëra viktimave tjera, që padrejtësisht, humbën jetën në konfliktet e ndryshme nëpër botë. Kreu i Kuvendit shtoi se shqiptarët kanë një raport të veçantë me tragjedinë e Holokaustit.

“Derisa përkujtojmë viktimat e tij, njëkohësisht ne përkujtojmë veprën heroike të gjyshërve tanë, të cilët në ato vite të terrorit nazist, mposhtën frikën dhe i hapën dyert për t’i strehuar një numër të madh hebrenjsh. Shifrat flasin se mbi 3000 hebrenj u shpëtuan aso kohe nga familjet kosovare, në mesin e të cilave më e shquara ishte Familja Rezniqi nga Dukagjini”, tha kryeparlamentari Veseli.

Një kohë të gjatë, ata që ishin e janë kundër lirisë së Kosovës, shtoi Veseli, janë munduar ta njollosin këtë humanizëm, duke shpikur ngjarje dorëzimi të hebrenjve në Prishtinë. Por, sipas tij, faktet dhe dokumentet flasin qartë dhe drejt: shqiptarët, as në një rast të vetëm, nuk dorëzuan asnjë hebre në duart e nazistëve.

“Ne si shqiptarë kemi raport të veçantë me tragjedinë e Holokaustit, sepse vetëm 19 vite më parë ne përjetuam përpjekjen gjenocidiale të Serbisë kundër popullit tonë. Falë sakrificave mbinjerëzore të popullit tonë dhe solidaritetit vendimtar të botës demokratike ne e ndalëm të keqen, gjenocidin. E keqja u ndal, por drejtësia ende nuk është vendosur për mizoritë e masakrat e kryera gjithandej Kosovës nga ish-regjimi serb”, theksoi kreu i Kuvendit të Kosovës, duke shtuar se kurrë nuk do të hiqet dorë nga kërkimi i drejtësisë për Reçakun, Mejën, Izbicën, Rezallën, Vërbocin, Gjakovën, e dhjetëra krime të tjera masive të kryera në fshatrat dhe qytetet e Kosovës.

“Njëkohësisht, ne kurrë nuk do të lejojmë që dhimbjet tona kolektive të relativizohen për llogari të baraspeshës së rrejshme të fajit”, tha kryeparlamentari Veseli. ​

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme