Veseli: Subvencionet për bujqësi do të dyfishohen

Prishtinë | 18 Pri 2017 | 14:58 | Nga Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i PDK-së Kadri Veseli, njëherit kryetar i Kuvendit gjatë turit të dëgjimeve që po zhvillon në vend sot është takuar në Vushtrri me ekspertë të bujqësisë.

Kryetari Veseli, theksoi se ka filluar këtë komunikim të drejtpërdrejt me të gjitha kategoritë për të parë më afër se cilat janë sfidat që ballafaqohen, raporton Ekonomia Online.

Ai ka thënë se bilanci tregtar është negativ dhe shumë i dëmshëm për vet zhvillimin tonë që sipas tij, me 90 për qind importe e bëjnë shtetin tonë një vend konsumues.

“Duhet të dimë që pse ne nuk po mund të arrijmë as t’i afrohemi vendeve të cilat janë në zhvillim. Duhet të dimë pse ne po harxhojmë paranë e gatshme dhe për këtë dua të dëgjoj përvojat tuaja, sepse ju e dini më mirë se cilat janë vështirësitë të cilat po ballafaqohemi, duhet të dimë se sa janë politikat tona në veprimtarinë tuaj bujqësore inkurajuese dhe për këtë dëshiroj të dëgjoj nga ju se sa është duke u zhvilluar Kosova në veprimtarinë bujqësore”, tha Veseli.

Ai vlerësoi se bujqësia është një segment që kthimi në investime është më i fuqishëm dhe më i shpejtë.

Veseli ka kërkuar nga bujqit të dijë se cilat janë ato politika ku ky sektor mund të zhvillohet.

“Papunësia është shumë e lartë, gjithashtu shihet që ka vështirësi në gjetjen e stafit profesional, njerëz të kualifikuar. A po ju stimulojmë ne, sa po ju ndihmojmë përmes granteve dhe subvencioneve. Buxheti i bujqësisë për mua duhet të dyfishohet sepse është i vobektë. Si mund ta përmirësojmë situatën e bujqësisë në Kosovë? Dua që ju të jeni konkret dhe të drejtpërdrejt, sepse vetëm kështu do të mund të bëjmë progres edhe pse bujqësia ka pasur progresin më të madh nga sektorët e tjerë, por mund të bëhet edhe më shumë”, është shprehur Veseli.

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi, tha se janë prezent fermer të cilët kanë lënë shenja pozitive të zhvillimit të sektorit të pemëve dhe perimeve.

“Edhe këtë vit ne kemi ndarë rreth 14 milionë euro për këtë sektor dhe e dimë që nevojat janë edhe më të mëdha dhe premtojmë që në të ardhmen do t’i rrisim mjetet që do të ndahen për ta”, tha Krasniqi.

Ai tha se janë shkuar atje për të parë se cilat janë ato sfera që duhet të reformohen, të bëhet më shumë si dhe të marrin idetë për fazën e ardhshme të zhvillimit të perimtarisë.

Pronari i kompanisë “Pestova” Bedri Kasumi, tha se nuk mund të mohohet se është arritur por se ende kanë sfida.

“Ne nga limitet që na u janë bërë në lëndë të parë jemi më së miri në rajon, edhe subvencionet kanë bërë të veten, por ka raste që ato nuk shkojnë ku duhet. Mendoj se subvencionet duhet t’u jepen atyre që kanë treguar veten dhe jo atyre që bëjnë eksperimente”, tha ai.

“Pakoja Fiskale ka dhënë frytet e veta dhe shpresoj që edhe Pakoja Fiskale II do të plotësojë edhe disa mangësi. Duhet që ne t’i plotësojmë nevojat tona. Heqja e taksës për lëndë të parë dhe e makinerisë për përpunim mua më kanë mundësuar që të zbres çmimin për 10 për qind” ka thënë ai.

Ai ka theksuar se duan të jenë të barabartë me përpunuesit në rajon dhe asgjë më shumë.

“Në vitin 2000 unë kam nxjerr pataten me dorë dhe tani aktualisht kamë vështirësi në gjetjen e punëtorëve. Vitin e kaluar kam punësuar romë dhe serbë për nxjerrjen e patates, sepse nuk kam gjetur punëtorë”, theksoi Kasumi.

Kryetari i komunës së Vushtrrisë, Bajram Mulaku, theksoi se problemi më i madh në këtë komunë është papunësia, “por është e vërtetë që ka edhe të pa-punëtorë, sepse ndoshta pagat janë të vogla dhe të rinjtë tanë aludojnë për të arritur më shumë dhe për një të ardhme më të mirë”.

“Në anën tjetër ka edhe të rinj që janë të stimuluar edhe nga të afërmit në diasporë ose familjarë që të mos punojnë për një pagë prej 150 euro. Ndoshta duhet të punohet në sistemin e arsimit në mënyrë që t’i përgatisim të rinjtë tanë për punë dhe t’i bindim ata që pa punë nuk duhet të rrinë”, tha ai.

Fahrije Hoti themeluese e kooperativës bujqësore “Krusha”, tha se pavarësisht përjetimeve që kanë kaluar “si gra i kaluam të gjitha ato me punë dhe tani ne kemi dy tregje të tjera përveç tregut të Kosovës”.

“Kemi vështirësi edhe aty ku punojmë dhe për arsye të eksportit ne kemi dy objekte. Kërkesat janë trefishuar dhe s’po arrijmë për të krijuar stoqet. Kisha kërkuar që të ndihmohen fermerët që kryesisht merren me sera, sepse ne nuk po mund të sigurojmë produktin, sepse ne nuk duam që të importojmë nga Maqedonia pasi që ne kemi mundësinë këtu ta bëjmë një gjë të tillë”, tha Hoti.

Të ngjashme