Veseli: Do ta nxjerrim Anamoravën nga izolimi

Gjilan | 03 Qer 2017 | 19:08 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, në një tubim me qytetarë dhe simpatizantë, sot ka prezantuar platformën e Fillimit të Ri në Gjilan.

Kryetari Veseli ka thënë se Gjilani do t’i kthehet PDK-së nga 11 qershori, por edhe në nëntor, në zgjedhjet lokale.

“Fillimi i Ri është garancë e sovranitetit të Kosovës dhe e partneritetit me miqtë ndërkombëtarë”, ka thënë Veseli.

Ai theksoi se Kosova do të zhvillohet ekonomikisht, duke u fokusuar në ndërmarrësi.

Kreu i PDK-së përmendi në Gjilan edhe vizionin e Fillimit të Ri për fuqizimin e rinisë dhe grave, si në institucionet e vendit, ashtu edhe në sektorin privat.

Veseli shtoi se bujqësia do të jetë një prioritet tjetër i qeverisjes së ardhshme.

Ai ftoi qytetarët e Gjilanit që më 11 qershor të bashkohen për një Fillim të Ri.

“Më 11 qershor, ju ftoj këtu, si në gjithë Kosovën, që t’i përgjigjemi pyetjes se kush do ta udhëheq Kosovën. A mund ta udhëheq Kosovën një koncept, i cili nuk ka vizion, nuk ka guxim dhe nuk e njeh Kosovën? Nuk mundet, prandaj ju ftoj që më 11 qershor të bëhemi bashkë, si popull dhe t’i japim fuqizim një koncepti që i thotë PO një shteti perëndimor, PO Shteteve të Bashkuara të Amerikës, PO zhvillimit ekonomik dhe PO një Kosove që është krenare me qytetarët e vet. Ky është Fillimi i Ri”, theksoi Veseli.

Ai tha se Anamorava nuk do të jetë e izoluar.

“Nuk do të mbetet Anamorava e izoluar. Do të çajmë malet që të zhvillohet Anamorava, që të zhvillohet ndërmarrësia. Ky është Fillimi i Ri”, shtoi ai.

Gjithashtu, Veseli deklaroi se Kosova do të jetë përherë me qytetarët e Luginës së Preshevës, duke i mbështetur ata dhe duke i mbrojtur të drejtat e tyre.

Të ngjashme