Rama dhe Veseli konfirmojnë agjendën e përbashkët evropiane

Tiranë | 21 Shk 2017 | 17:48 | Nga Ekonomia Online

Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, sot në orët e pasdites, i është rezervuar pritje e veçantë nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Të dy liderët biseduan për raportet e ngushta që tashmë të dy shtetet kanë ndërtuar në të gjitha sferat, thuhet në njoftim.

Veseli dhe Rama potencuan rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit dypalësh dhe rajonal, në funksion të zhvillimit të përgjithshëm dhe lehtësimit të rrugës së integrimit euro-atlantik.

Kryeparlamentari Veseli vlerësoi rolin që tashmë shteti shqiptar ka në rajon, si faktor i rëndësishëm paqeje, stabiliteti dhe bashkëpunimi, por edhe si shembull i reformave në shumë fusha.

Kryeministri Edi Rama mbështeti punën e institucioneve të Kosovës në rrugën e integrimeve evropiane.

Të dy bashkëbiseduesit potencuan se agjenda e përbashkët evropiane është e paalternativë dhe si e tillë duhet të jetë prioritet i institucioneve të të dyja shteteve.

Gjatë ditës Veseli ka zhvilluar takime edhe me presidentin Nishani, kryetarin e PD-së, Lulzim Bashën dhe liderë tjerë politikë.

Në ditën e parë të vizitës, Veseli është pritur nga homologu Ilir Meta.

Në një konferencë për shtyp ata kanë folur mes tjerash për domosdoshmërinë e ratifikimit të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.

Ndërsa në një takim në mbrëmje në Bashkinë e Tiranës, Veseli ka pranuar “Çelësin e Qytetit” nga kryebashkiaku Erion Veliaj.

Të ngjashme