Veseli takoi Grupin parlamentar të Miqësisë Kuvajt – Kosovë

Prishtinë | 12 Pri 2018 | 10:46 | Nga

Kryetari, Kadri Veseli, ka pritur sot në takim Grupin Parlamentar të Miqësisë Kuvajt – Kosovë, të kryesuar nga Waleed Altabtabae, deputet i Parlamentit të Kuvajtit dhe Kryetar i Grupit të Miqësisë.

Kryeparlamentari Veseli i njohu mysafirët nga Kuvajti me zhvillimet aktuale në Kosovë dhe përparimet e saj si në rrafshin ndërkombëtar, ashtu edhe në aspektin e brendshëm.

Veseli falënderoi parlamentarët kuvajtianë për mbështetjen e vazhdueshme të shtetit të tyre për Kosovën në institucionet kryesore ndërkombëtare, si dhe për lobimin tek shtetet islamike për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Kreu i Kuvendit theksoi se Republika e Kosovës dëshiron të thellojë marrëdhëniet me Kuvajtin në të gjitha fushat, në dobi të interesave e të bashkëpunimit reciprok dhe të miqësisë midis dy vendeve dhe popujve.

Deputetët nga Kuvajti shprehën kënaqësinë që gjenden për vizitë në Kosovë dhe për të arriturat e saj në shumë fusha.

Duke shprehur dëshirën dhe gatishmërinë për thellimin e marrëdhënieve e të bashkëpunimit midis dy vendeve, ata theksuan se kjo vizitë është një mundësi e mirë për tu njohur me zhvillimet në të dyja vendet dhe për të forcuar bashkëpunimin ndërmjet parlamenteve respektive.

Ata konfirmuan mbështetjet e Kuvajtit për Kosovën edhe në të ardhmen. Kreu i delegacionit të Kuvajtit, Waleed Altabtabae, ftoi kryeparlamentarin Veseli për vizitë zyrtare në Kuvajt, për të forcuar bashkëpunimin midis dy vendeve edhe në fusha tjera, me theks të veçantë në ekonomi.​

Të ngjashme