Veseli takoi kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi

Tiranë | 25 Maj 2018 | 19:32 | Nga

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka vazhduar agjendën e tij të takimeve në Tiranë, me pritjen e organizuar në Kuvendin e Shqipërisë nga homologu i tij, Gramoz Ruçi.

Në këtë takim, i cili u cilësua i ngrohtë e miqësor, të dy kryeparlamentarët diskutuan për zhvillimet e fundit në të dyja vendet, jetën parlamentare në Kosovë e Shqipëri, si dhe për shtrirjen e mëtejmë të bashkëpunimit midis dy vendeve dhe parlamenteve respektive.

Kryetari Veseli e njohu kreun e Kuvendit të Shqipërisë me angazhimet e legjislativit kosovar për përmbushjen e detyrave të tij kushtetuese dhe sidomos përkushtimin për të çuar përpara agjendën evropiane të vendit.

Kryeparlamentari Ruçi ndërkaq, u shpreh i nderuar të pres në takim homologun e tij nga Kosova, duke u shprehur i kënaqur me arritjet e Kosovës në shumë sfera.

Ruçi ritheksoi vullnetin e legjislativit shqiptar për të vënë në dispozicion të Kuvendit të Kosovës gjithë përvojën parlamentare, sidomos në rrafshin e integrimit evropian.​

Të ngjashme