Veseli u kërkon të rinjve që studiojnë jashtë të kontribuojnë për vendin

Prishtinë | 23 Tet 2018 | 14:22 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli ka vizituar “World Learning”, programin që u mundëson të rinjve nga e gjithë bota të studiojnë në ShBA përmes bursave.

Veseli pas takimit me udhëheqësit e këtij institucioni tha se bashkëpunimi për shkëmbimin e studentëve për studime në ShBA do të vazhdojë edhe më tej pasi që sipas tij, dija amerikane është më e mira më botë.

Kreu i Kuvendit sqaroi se në kuadër të këtij projekti 300 studentë janë përgatitur në ShBA dhe janë kthyer në Kosovë, ku 99% e tyre punojnë në institucione, raporton Ekonomia Online.

Madje ai ka ftuar të rinjtë që të aplikojnë që të studiojnë në ShBA, ngase sipas tij, është privilegj që të studiohet në universitetet më prestigjioze.

“300 studentë të përgatitur në ShBA janë aseti më i mirë i Kosovës për transformimin ekonomik për rrugëtimin e vet euro-atlantik, kjo është shoqëria jonë, ne do të vazhdojmë programin”.

“99% studentëve tanë të cilët kanë studiuar në ShBA janë kthyer në Kosovë, punojnë në institucione e Kosovës dhe ne do vazhdojmë këtë program, kjo është arsyeja e vizitës time besoj edhe për një dekadë minimum të jemi bashkërisht”, tha Veseli.

“I ftoj djemtë dhe vajzat e reja të Kosovës të aplikojnë, sistemi është shumë transparent, mundësitë janë të shumta, të studiosh në ShBA është privilegj në universitetet më prestigjioze dhe kemi nevojë për djem dhe vajza të reja të cilat janë të përgatitur në programet të cilat i kemi aktualisht”.

“Do të vazhdojmë programin e doktorantëve do të thotë profesorët e universiteteve publike do ta zgjerojnë bashkëpunimin në mënyrë që është universitetet publike përveç universitetit të Prishtinës të vazhdojnë me programe të cilat do të jenë të bashkëpunimit dhe shkëmbimit të eksperiencave me universitetet më të mira amerikane”, tha ai.

“Ne jemi evropianë, perëndimorë por ShBA-të janë miqtë më të mirë të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës dhe dija amerikane është më e mira në botë”, shtoi Veseli.

Ndërsa, Carl Hammerdorfer, drejtor i Programit për Lidership dhe Transformues për Bursa dhe Partneritetet në Kosovë falënderoi kryeparlamëntarin për mbështetjen dhe bashkëpunimin që kanë pasur, raporton EO.

“Ne jemi shumë krenarë me 300 studentët kosovarë që kanë studiuar në ShBA që studimet i kanë kryer me shumë dinamikë, 99% e tyre janë kthyer tani, ata po bëhen lider shumë të mirë në Kosovë dhe jam shumë krenarë me këta të rinj dhe shumë i lumtur për bashkëpunimin me Universitetin e Prishtinës dhe me njerëz shumë të mirë nga atje”, tha Hammerdorfer.

Të ngjashme