Veseli viziton xhaminë më të vjetër në Ballkan, krenohet me trashëgiminë kulturore

Prishtinë | 14 Gus 2019 | 21:41 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Kuvendit, njëherësh lider i PDK-së, Kadri Veseli, ka vizituar xhaminë e fshatit Mlikë.

Në postimin e radhës në rrjetet sociale, kryetari i PDK-së, Kadri Veseli poston foto nga xhamia e fshatit Mlikë në komunën e Dragashit e cila konsiderohet se është më e vjetra në Ballkan.

Duke u nisur nga ky monument i rrallë i kulturës, Veseli thekson se Kosova megjithëse është territor i vogël, është shumë e pasur me trashëgimi të natyrës dhe kulturës.

Nëpërmjet një shkrimi të publikuar në faqen e tij në Facebook, Veseli ka thënë se si kryeministër i ardhshëm do ta ketë prioritet ruajtjen, mirëmbajtjen, restaurimin dhe promovimin e monumenteve kulturore.

Postimi i plotë i Veselit:

Xhamia e Mlikës në Dragash, për të cilën studiuesit thonë se është ndërtuar në 1289, konsiderohet si xhamia e parë në Ballkan. Si kryeministër i ardhshëm do e kem prioritet ruajtjen mirëmbajtjen, restaurimin dhe promovimin e monumenteve të vyera si ky. Kosova jonë, edhe pse është territor i vogël, është e pasur në trashëgimi natyrore dhe kulturore dhe ka monumente të rralla si kjo xhami. Kjo trashëgimi së bashku me mikëpritjen tradicionale të popullit tonë, ofron një potencial të madh për zhvillimin e turizmit në Kosovë i cili është një sektor që në të ardhmen do të hapi shumë vende pune për rininë tonë.

Të ngjashme