Vetëm 28 përqind e qytetarëve të kënaqur me qeverisjen e vendit

Prishtinë | 07 Maj 2018 | 13:25 | Nga

Asociacioni Gallup International së fundmi ka realizuar një studim i cili nxjerrë në pah se vetëm një e treta e qytetarëve në mbarë botën vlerësojnë qeveritë e tyre pozitivisht.

Sipas këtij studimi në Kosovë vetëm 28% e popullatës janë të kënaqur me qeverisjen e vendit, respektivisht 30% e shohin qeverinë si organ që po punon në mënyrë efektive, 27% konsiderojnë që ndjekin vullnetin e popullit dhe 26% konsiderojnë se po e udhëheqin shtetin në drejtimin e duhur.

” Përfundimisht, ky rezultat negativ dhe i pakënaqshëm me qeverisje mund të konsiderohet pozitiv sepse përfundimisht, njerëzit kanë dalur nga amullia që pavarësia është lumturia përfundimtare dhe tani kërkojnë ndryshime dhe zhvillime konkrete në vend”, thuhet në këtë studim të Gallup International.

Sipas Gallup International qytetarët e Shqipërisë në anën tjetër rezultojnë më të kënaqur me qeverinë e tyre, ku pothuajse gjysma (41%) janë të kënaqur me qeverisjen politike në vend. Përderisa 44% e popullatës në Shqipëri e konsiderojnë punën e qeverisë si efektive, 38% e popullatës e konsiderojnë se qeveria respekton vullnetin e popullit, ndërsa 41% e popullatës në Shqipëri konsiderojnë se shteti është duke u zhvilluar në drejtim të duhur.

Studimi ka nxjerrë dallime signifikante po ashtu në mes të regjioneve të botës. Përderisa vetëm një e katërta e banorëve të botës së vjetër demokratike (BE) është e kënaqur me qeveritë e tyre, udhëheqësia e kësaj bote të vjetër demokratike (ShBA) është akoma më e pakënaqur me qeverinë e tyre – vetëm një e pesta e amerikanëve deklarojnë të jenë të kënaqur, përderisa në Indi, Filipine dhe Vietnam mbi 70% e popullatës janë të kënaqur me qeveritë e tyre.

Të ngjashme