Veteranët “bllokojnë” Kuvendin, kërkojnë të rishqyrtohet Gjykata Speciale

Prishtinë | 02 Mar 2017 | 12:46 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Përfaqësuesit OVL të UÇK-së po vazhdojnë të qëndrojnë në sallën e Kuvendit përkundër vendimit të marrë për ndërprerjen e punimeve të seancës së rregullt.

Ata janë përplasur në momentin që kryesuesi i seancës ka thënë se seanca do të shtyhen për shkak të kërkesës së dy grupeve më të mëdha parlamentare PDK dhe LDK.

Ata nuk pranojnë të dalin pa u kthyer deputetët për ta futur të rend dite propozimin e deputetit të PDK-së, Nait Hasani, që të kthehet në Kuvend Ligji për Gjykatën Speciale.

Përfaqësuesit e organizatave të dala nga Lufta e UÇK-së, pas tollovisë që është krijuar gjatë seancës së Kuvendit, kanë lëshuar sallën plenare të Kuvendit të Kosovës, duke paralajmëruar se asnjë seancë tjetër nuk do të mbahet pa u shqyrtuar edhe një herë ligji për Gjykatën Speciale, e cila nuk duhet t’i gjykojë vetëm shqiptarët por edhe serbët.

Xhavit Jashari nga Organizatat e dala nga lufta e UÇK , ka thënë për Ekonomia Online se  kanë kërkuar që me propozimin e deputetit Nait Hasani, Kuvendi i Kosovës ta kthejë edhe njëherë në rishqyrtim çështjen e Gjykatës Speciale. Sipas tij që të gjithë është dashur t’i irritoj vendimi që është marrë në Francë për Ramush Haradinajn. Jashari ka pohuar se është koha e fundit që vendi të ketë një parlament dhe deputë që e mbrojnë dhe nuk e keqpërdorin votën e qytetarëve.

“Po i bëjë thirrje kryetarit të Republikës së Kosovës Hashim Thaçin që të përdor autoritetin e tij por gjithsesi edhe kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselit dhe të gjithë deputetëve pa dallim që të votojnë pro dhe të kthehet në rishqyrtim edhe njëherë Gjykatën Speciale sepse është e njëanshme dhe mendoj se është e padrejtë dhe qëllimet dihen që janë politike se nuk mund të ketë gjykim të njëanshëm ndaj luftës së pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kriminelet ata që kanë bërë krime anë e kënd Kosovës të shëtiten lirshëm”, ka thënë ai.

“Ne do të ju njoftojmë sepse jemi duke u konsultuar me organet tona drejtuese dhe me kategoritë tona dhe qëndrimi jonë do të jetë që nëse nuk kthehet Gjykata Speciale ne do të bllokojmë parlamentin me protesta dhe nuk do të lejojmë që të vazhdohet puna kështu sepse nëse dikush mendon që të punojë dhe të ketë të gjithë ato paga, të gjithë ato që u ka mundësuar vet lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës sepse institucionet janë krijuar pas luftës së pastër dhe të drejtë dhe mendojmë se secili qytetar madje edhe institucionet dhe deputetët që janë të ulur në Parlamentin e Republikës së Kosovës duhet të jenë të kujdesshëm që ta çmojnë dhe ta respektojnë rrugën se si kemi ardhur deri këtu”, ka shtuar Jashari.

Sipas tij, nëse deputetët insistojnë që sot të kthehen në seancë ata nuk do t’i lejojnë.

“Nëse deputetët insistojnë që të kthehen për vazhdimin e seancës ne nuk do të lejojmë, jemi këmbëngulës veteranë, familje të dëshmorëve dhe invalid që nuk do të lejojmë vazhdimin e seancave për pa e kthyer në rishqyrtim Gjykatën Speciale”, ka pohuar ai.

Të ngjashme