“Veteranët”, publikimi i emrave është shkelje e privatësisë

Prishtinë | 17 Sht 2018 | 12:01 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione  ditëve në vijim do të dalë me një deklaratë si reagim i publikimit të emrave të veteranëve për të cilët thuhet se nuk kanë qenë në luftën e UÇK-së.

Kështu u dakorduan anëtarët e komisionit gjatë mbledhjes së mbajtur në të cilën ndër të tjera diskutuan edhe për punën e bërë në sesionin vjeshtor si dhe për atë se çfarë duhet të bëhet në atë vjeshtor.

” Të gjithë ata njerëz që e kanë emrin në listat, që thuhet se janë manipulues,  mendoj se dikush i ka bërë me qëllim të kundërt. Kjo huti që është shkaktu është një problem i jashtëzakonshëm. Nuk e di kush qëndron pas kësaj gjendje. Kjo është plaga më e rëndë që e kam parë tek njerëzit e ndershëm. Ta drejtojmë këtë shqetësim tonin dhe të kërkojmë llogari tek organet përgjegjëse që kanë gisht në këtë katrahurë,” shprehet Shemsi Syla, anëtar i Komisionit, ushtarak në pension.

Deputeti Fisnik Ismajli publikimin e emrave e konsideron si shkelje të privatësisë.

“Po duket me qenë e qëllimshme por qysh me ju qas. Prej kah dul ai dokument. Si guxon me u publiku emrat për një rast që është duke u hetu. Po e kom problematike faktin që janë publiku emrat e njerëzve që po akuzohen me qenë mashtrues është shkelje e rëndë e privatësisë”.

Ndërsa kryetarja e komisionit,Duda Blaje, tha se për vlerësimet e mëtutjeshme të komisionit do të konsultohen edhe me Zyrën e Avokatit të Popullit.

Paraprakisht komisioni u dakordua për punën që duhet të bëhet.

Gjatë muajit shtator anëtarët e komisionit do të qëndrojnë për një vizitë në Meje për të parë nga afër gjendjen e kompleksit.

“Vizitën në Meje me realizu këtë muaj. Në tetor vizita tek qendra e  mirëqenies dhe tek shtëpia e pleqve në Deçan dhe Prizren”, tha Duda Balje gjatë planifikimit të sesionit vjeshtor.

Anëtarët e komisionit kishin edhe disa vërejtje sa i përket sesionit pranveror.

Deputetja Mexhide Mjaku Topalli,tha se në raportin e sesionit pranveror mungojnë disa takime.

“Kam parë që mungojnë disa takime që i kemi pasur si komision,  mungon takimi në FSK-në, mungon edhe takimi që e kemi pas me Agjencionin për Barazi Gjinore. Do të ishte me interes që të përfshihen edhe takimet që i kemi realizu”.

Ndërsa deputetja nga radhët e AAK-së, Teuta Haxhiu, tha se në raport do të duhej që të detajohej ajo që është arritur në takimet e mbajtura e jo vetëm sa takime apo vizita janë realizuar.

“Diçka që është produkt i takimeve është më me interes. Me u cek se çfarë ka dal si produkt i takimeve. Është mirë që të  detajohet çfarë ka dal nga takimi”.

Të ngjashme