“Veterani i harruar”, ish-ushtari i UÇK-së qe 18 muaj i paraburgosur në Serbi, Qeveria Kurti hesht

Prishtinë | 08 Qer 2021 | 19:01 | Nga Ekonomia Online

Një vit e gjysmë më parë, Nezir Mehmetaj, ish-ushtar i Ushtrisë Çlirimtare u arrestua nga autoritetet policore serbe, teksa po udhëtonte nëpër Serbi. Prokurorët serbë e akuzojnë ish-luftëtarin e lirisë me akuzat për pjesëmarrje në krime lufte kundër civilëve në Klinë, gjatë qershorit dhe korrikut të vitit 1999. Familjarët e Mehmetaj, ndonëse shpresojnë në lirimin e tij, thonë se nuk kanë fortë besim se një gjë e tillë do të ndodhë.

Më 4 janar të vitit 2020, Nezir Mehmetaj, që po kthehej nga Kosova për në Zvicër ku jetonte që një kohë, u ndalua në pikën kufitare në Merdare nga policia serbe, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Që nga ajo datë, ish-luftëtari i UÇK-së mbahet si i paraburgosur në Burgun e Beogradit.

Tash që kanë kaluar 18 muaj nga dita e arrestimit, familjarët e tij nuk besojnë në lirimin e Mehmetajt, të cilit së fundmi iu vazhdua paraburgimi nga Gjykata e Lartë në Beograd.

Valon Mehmetaj, vëllai i Nezirit, i tha Gazetës Reporteri.net se përkundër premtimeve për lirim, mbrojtja dhe instancat shtetërore të Kosovës kanë dështuar.

“Sa i përketë lirimit sipas mbrojtjes rrethanat janë në favor të Nezirit, por ne si familje kemi shpresë, por nuk kemi besim edhe aq pasi që ka shkuar kohë e gjatë e qëndrimit në paraburgim. Deri më sot kemi pasur premtime, por kanë dështuar si nga mbrojtja po ashtu edhe nga instancat shtetërore”, tha Mehmetaj.

Tutje, ai deklaroi se kanë kërkuar mbrojtje ligjore e përkrahje financiare nga Qeveria, por që nuk ka ndodhur ende një gjë e tillë.

“Kemi kontaktuar dy Ministritë në Qeverinë Kurti, atë të Jashtme dhe të Drejtësisë. Ka fjalë të mira, por akoma nuk kemi veprime konkrete, sepse nga shteti ne kemi kërkuar që nga fillimi mbrojtje ligjore të shtetasit të Republikë së Kosovës, Nezir Mehmetaj, si dhe përkrahje financiare. Por me keqardhje e them se shteti ynë është i pafuqishëm në kontekst me shtetin fqinj”, tha Mehmetaj për Reporteri.net.

Gazeta Reporteri.net ka kontaktuar Qeverinë e Kosovës dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës për t’i pyetur nëse e kanë ngritur këtë çështje të paraburgosjes së Nezir Mehmetaj në ndonjë takim me ndërkombëtarët.

Për më shumë këto dy institucione janë pyetur nëse do ta shtrojnë si temë gjatë takimeve me palën serbe në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel apo në ndonjë platformë tjetër.

Por, deri në botimin e këtij artikulli, MPJD-ja nuk ka kthyer përgjigje në adresë të Reporterit.

Ndërkaq, Mehmetaj tregoi se i vëllai i arrestuar është mirë me shëndet dhe se për herë të fundit në vizitë tek Neziri ka qëndruar vajza e tij.

“Nuk kemi mundur të kemi kontakte me telefon ku arsyeja është se nuk po ka qasje të mirë nga Serbia në nr të Kosovës. Para datës 26.05.2021 kas pasur vizitë nga vajza. Neziri është mirë me shëndet”, shtoi Mehmetaj.

Ndërkaq Faton Klinaku, ushtrues detyre i kryetarit të OVL-UÇK ka treguar për Reporteri se me Qeverinë Kurti janë takuar vetëm një herë për këtë çështje.

Megjithatë, i pari i veteranëve ka ripërsëritur kërkesën e kamotshme drejtuar Qeverisë së udhëhequr nga Kryeministri Kurti.

“Kemi pas reaguar më herët, por nuk është bë asgjë në këtë drejtim. E kemi pas krejt një takim me Qeverinë Kurti dhe e kam sqaruar se çfarë kam biseduar në atë takim. Një takim e kemi pasë krejt, nuk jemi takuar më. Edhe Qeveritë e kaluara edhe kjo Qeveri duhet të me bë sa ma shumë në këtë drejtim, sepse nuk ka nevojë që ata me qëndru në burgjet e Serbisë, sepse mbahen politikisht atje”, tha Klinaku.

Mehmetaj akuzohet për pjesëmarrje në vrasjen e shtatë njerëzve dhe djegien dhe plaçkitjen e shtëpive në fshatin Rudicë në komunën e Klinës, si ushtar i UÇK-së gjatë vitit 1999.

Qeveritë e mëhershme disa herë i kanë kërkuar Bashkimit Evropian të ndikojnë tek autoritetet serbe për lirimin e Nezir Mehmetajt.

Të ngjashme