Vetëvendosja me plan të hap objekt për deponim të mbeturinave në Harilaq

Prishtinë | 22 Tet 2018 | 15:30 | Nga Ekonomia Online

Lëvizja Vetëvendosje në Fushë Kosovë këtë të hënë ka kërkuar që të mblidhet Kuvendi Komunal i Fushë Kosovës për të diskutuar rreth planit të qeverisë për hapjen e një objekti për deponimin e mbeturinave dhe materialeve të rrezikshme në fshatin Harilaq të kësaj komune.

Kërkesa për seancë, e nisur nga asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje, është përkrahur edhe nga disa asamblistë të pozitës dhe opozitës.

“Vendimi i qeverisë daton që nga 25 maji i vitit 2009, i nënshkruar atëherë nga ish-kryeministri, Hashim Thaçi. I njëjti vendim është ripërtërirë këtë vit po me 25 maj, kësaj radhe i nënshkruar nga Ramush Haradinaj. Ky vendim është nxjerrë nga qeveria pa u konsultuar me banorët që potencialisht preken nga ky projekt, i cili do të ketë pasoja direkte në disa drejtime nëse realizohet”, thuhet në njoftim.

Së pari, thuhet tutje, ky objekt mendohet të vendoset në afërsi të një lugine, e cila banorëve përreth u shërben për ujë të pijshëm, të cilin komuna e Fushë-Kosovës asnjëherë nuk e ka siguruar për shumicën e banorëve të saj. Së dyti, ky dhe disa projekte tjera të llojit të ngjashëm, do të shpyllëzojnë dhjetëra hektarë pyje, të cilat edhe ashtu janë të rrezikuara si rezultat i prerjeve të pakontrolluara ilegale.

Banorët e fshatit Harilaq dhe fshatrave tjera përreth kanë shprehur shqetësimin e tyre në takimet me Lëvizjen Vetëvendosje, dhe kanë kërkuar që të ndërmerren masa urgjente për parandalimin e projektit.

Opinioni publik nuk e di nëse është bërë ndonjë studim mbi ndikimin mjedisor të projektit, kërkesë kjo e domosdoshme e Ligjit për Mbrojtjen e Ambientit, përkatësisht të Nenit 28 të këtij ligji.

Edhe konventat ndërkombëtare, siç është Konventa e Arhusit, që përveç se kërkojnë studim paraprak të ndikimit mjedisor të këtyre projekteve, kërkojnë edhe konsultimin e komunitetit që potencialisht ndikohet nga projekte të tilla.

Banorët dhe asamblistët nënshkrues janë duke kërkuar që Kuvendi Komunal të mblidhet sa më shpejt, në mënyrë që të ndërmerren hapat institucionalë, por nëse nuk respektohet vullneti i tyre, ata zotohen se do të kërkojnë parandalimin e këtij projekti edhe me protesta.

Lëvizja Vetëvendosje në Fushë Kosovë përkrah kërkesën e banorëve për parandalimin e këtij projekti. Thirrja e seancës së jashtëzakonshme është hapi i parë për kundërshtimin e tij. Përndryshe, në bashkëpunim me banorët ne do ta kundërshtojmë edhe në forma të tjera.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme