Vetëvendosja prapë s’i përgjigjet ftesës së Veselit

Prishtinë | 11 Jan 2019 | 18:49 | Nga Ekonomia Online

Lëvizja Vetëvendosje nuk do t’i përgjigjet prapë ftesës së përsëritur të kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, për koordinim rreth Dialogut me Serbinë.

Deputetja e kësaj partie, Albulena Haxhiu, tha për Koha.net se Kadri Veseli, përveç tjerash është edhe figurë kontraverse, dhe thirrjen e tij e quan të kotë e pa asnjë vlerë.

“Herë shpif ulët për LV-në e herë bënë ftesë për tryeza. Nuk kemi qenë të pranishëm ndonjëherë në këto tryeza të kota që thërret Kadri Veseli e që janë në shërbim të tij dhe të Hashim Thaçit dhe as që e kanë qëllimin e unifikimit, pra nuk do të marrim pjesë as të hënën”, tha Haxhiu.

Ajo tutje në përgjigjen për Koha.net tha se figurat përçarëse si Thaçi e Veseli nuk sjellin unifikim, e siç tha ajo, është jologjike dhe absurde të besosh në diçka të tillë.

“Ne nuk bëhemi pjesë e pazareve që i kanë nisur në raport me negociatat, përkundrazi do t’i kundërshtojmë fuqishëm. Kadri Veseli ka më shumë se 6 muaj që e mban peng dhe nuk e procedon në seancë raportin e proceduar nga Qeveria mbi sfidat dhe arritjet në procesin e negociatave me Serbinë, pra në vend që ta mundësoj këtë debat, ai thërret tryeza të tilla koti, pra pa asnjë vlerë. Vendi duhet të shkoj në zgjedhje të jashtëzakonshme sa më parë sepse një ditë më shumë e kësaj Qeverie pa legjitimitet e të skandaleve dhe një President me ide të rrezikshme, është dëm i madh për vendin dhe qytetarët”, ka thënë deputetja Haxhiu.

Sot, Veseli ftoi sërish në takim të përbashkët Presidentin, Kryeministrin, Ekipin Negociator, si dhe përfaqësuesit e grupeve parlamentare nga partitë opozitare ende të papërfaqësuara në Ekipin Negociator, që janë LDK-ja dhe VV-ja, për siç thotë Veseli, koordinonim rreth Dialogut.

Në një letër që ia ka drejtuar edhe Shefit të Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, thuhet se në takim do të diskutohen temat e Dialogut të cilat janë të domosdoshme për arritjen e marrëveshjes finale, që Kosovës ia siguron njohjen nga Serbia, ulësen në OKB dhe përshpejtimin e anëtarësimit në NATO dhe BE.

Koha.net ka tentuar të marrë përgjigje edhe nga z.Hoti, porse ai nuk është përgjigjur.

Sot, Profesori i Shkencave Politike, Belul Beqaj në Express Intervistën në KTV, e quajti veprim të mirë mospërfshirjen e LDK-së dhe VV-së në Delegacionin Shtetëror.

“LDK-ja VV-ja sot po bëjnë gjënë e duhur. Sipas meje ata po veprojnë drejtë. Janë konsistent. Është shumë mirë që janë në opozitë dhe s’janë përfshirë të gjithë në Ekip”, tha ai.

Takimi të cilin e ka ftuar Veseli, do të mbahet të hënën më 14 janar në orën 11:00 në sallën C 301 në Kuvendin e Kosovës.

Edhe herët e kaluara, ftesës së vazhdueshme të Veselit nuk iu përgjigjën partitë opozitare, madje, LDK-ja e VV-ja ftesën e tij të fundit e quajtën hipokrite.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme