Vetëvendosja sot tenton shkarkimin e Dërgutit

Prishtinë | 03 Maj 2018 | 08:09 | Nga

Aida Dërguti sot mund të shkarkohet nga pozita e nënkryetares së Kuvendit me iniciativë të ish-bashkëpartiakëve të saj, ndonëse para më pak se një viti ishte përzgjedhur në këtë pozitë të lartë në legjislativ pikërisht me propozim të Lëvizjes Vetëvendosje, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Për të kaluar iniciativa e Lëvizjes Vetëvendosje për shkarkimin e Dërgutit duhet votuar nga 2/3 e deputetëve të Kuvendit, vota këto sipas drejtuesve të këtij subjekti politik opozitar i sigurojnë me lehtësi, ndonëse deri më tani nuk kanë arritur marrëveshje për përkrahje nga ndonjë subjekt tjetër politik parlamentar.

Drejtues të koalicionit qeverisës kanë deklaruar për gazetën “Zëri” se parimisht janë kundër shkarkimit të Dërgutit nga pozita e nënkryetares së Kuvendit, edhe pse pranojnë se nuk kanë ndonjë qëndrim përfundimtar për këtë çështje.

Përndryshe, përçarja e madhe në Lëvizjen Vetëvendosje u bë e ditur muaj më parë pas publikimit të disa mesazheve në aplikacionin “Viber” mes Dardan Molliqajt dhe Aida Dërgutit, ku kjo e fundit kishte fyer rëndë Albin Kurtin.

Këtu edhe nisi çarja e subjektit më të madh opozitar, nga e cila ikën 12 deputetë të Kuvendit të Kosovës, duke iu bashkuar Grupit të Deputetëve të Pavarur (GDP) edhe dy kryetarë të komunave të Kosovës: Shpend Ahmeti i Prishtinës dhe Qëndron Kastrati i Kamenicës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme