Vetëvendosje e kënaqur me rezultatin, do të festojë në shesh

Prishtinë | 11 Qer 2017 | 20:48 | Nga

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Sejdiu, në një paraqitje për medie, ka uruar qytetarët e Republikës për “referendumin” i cili sipas tij e shpall Vetëvendosjes, subjektin më të votuar politik në Kosovë.

Sejdiu tha se rezultatet paraprake tregojnë se Lëvizja ka marrë rreth 33-34% të votave. “Vota për Lëvizjen tregon se qytetarët kanë votuar për ndryshim”, tha ai. Për të, qytetarët e Republikës e mundësuan qeverisjen ndryshe të Kosovë duke rritur mbështetjen më shumë se dyfish për Lëvizjen.

Sejdiu u zotua se qytetarët kanë vendosur për ndryshime dhe këto ndryshime do t’i bëjë VV.

Kurse, Albulena Haxhiu falënderoi mbi 8 000 komisionarët dhe vëzhguesit e Lëvizjes për punën që kanë bërë dhe që po bëjnë. Po ashtu, Haxhiu përmendi kallëzimin penal të deponuar nga VV për “një organizatë fantazëm, e cila ka angazhuar rreth 5 000 militantë të PDK-së, AAK-së dhe NISMA-s për të prishur procesin zgjedhor”.

“Por, procesi nuk ka arritur të prishet për shkak të mbrojtjes së procesit nga vëzhguesit dhe komisionarët e Lëvizjes”, tha ajo.

Haxhiu tha po ashtu se janë dorëzuar 24 ankesa për panelin zgjedhor që kanë të bëjnë me fotografim të votës dhe presion ndaj komisionarëve të VETËVENDOSJE!-s. Veçohet rasti i Vojnikut ku dy komisione të Lëvizjes janë larguar nga qendra ku janë vërejtur votime pa sprej, pa shenja gishtash dhe me parregullsi të tjera.

Gjithashtu, Haxhiu theksoi se në këtë zonë vota është blerë nga vëllai i Kadri Veselit dhe dhëndri i tij. Haxhiu tha se shpreson që KQZ-ja t’i marrë parasysh ankesat e deponuara.

Në fund, Sejdiu ftoi qytetarët e Republikës që të mblidhen në orën 22:30 në sheshin “Zahir Pajaziti” për ta festuar fitoren e Lëvizjes, për ta vazhduar më pas punën e vështirë për ndryshimin e madh.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme