Vetëvendosje e quan Pacollin frikacak, AAK-ja thotë se nuk ka faj as ai e as Qeveria

Prishtinë | 22 Nën 2018 | 16:18 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Po vazhdon seanca në Kuvendin e Kosovës, me më pak se 40 deputetë në sallë.

Deputeti Arbër Rexhaj, nga Lëvizja Vetëvendosje, e ka quajtur Pacollin frikacak, teksa ka thënë se Qeveria është e dështuar.

“Ai është frikacak në politikë, ai nuk është as politikan. Frikacakut ndryshe i thuhet edhe tuc. Ministri i Jashtëm, nuk është këtu sepse është tuc sepse i frikësohet pozitës sepse edhe sot ai po e ha bukën me turp”, ka thënë Rexhaj.

Ai ka thënë se me një kryeministër si Haradinaj, një president si Thaçi dhe me Behxhet Pacollin, Kosova është përballë me  tërheqjen e njohjeve.

“Ministria e jashtme nuk ka qenë në gjendje t’i zgjerojë njohjet e Kosovës. Aleatët tanë kanë ulur investimet e tyre diplomatike për të siguruar njohje të reja diplomatike. Diplomacia e Kosovës është përballur me pengesa që i ka shkaktuar vetë, sidomos me Gjykatën Speciale të cilën VV-ja e paralajmëronte mosvotimin e saj me kohë”, ka thënë ai.

“Dështimi i fundit në Interpol ka treguar se kemi një qeveri të dështuar prandaj Kosova bënë edhe pa këtë Qeveri, edhe pa këtë President, Kryeministër dhe pa këtë ministër”

Deputeti i AAK-së, Shkumbin Demalijaj, ka bërë thirrje për unifikim të partive për çështjet me interes shtetëror, kurse ka thënë se nuk mund t’ia hedhin fajin Pacollit e as Qeverisë.

“Bëj kërkesë që në këto momente të jemi të unifikuar për gjendjen të cilën është Kosova. Është e vërtetë që shteti jonë ka dështuar në Asamblenë e Interpolit por është një e vërtetë tjetër se edhe Qeveritë e mëhershme kanë dështuar”, ka thënë Demalijaj.

Të ngjashme