Vetëvendosje e quan skandal rekrutimin e noterëve të rinj

Prishtinë | 05 Kor 2019 | 14:08 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur konferencë për medie në lidhje me “skandalin e rekrutimit të noterëve të rinj”.

Deputetja e LVV-së, Albulena Haxhiu, tha se kriteret për liberalizimin e vizave thuhet se janë të përmbushura, por kriteret më të rëndësishme nuk po e dëshmojmë se po luftohen si krimi i organizuar, keqpërdorimet dhe korrupsioni.

“Ministria e Drejtësisë në vend që të jap kontribut në rastet e shënjestruara për liberalizimin e vizave në këtë drejtim i del në shesh skandali i rekrutimit të noterëve të rinj”, tha Haxhiu.

Ajo tha se Tahiri vazhdimisht tregonte se Kosova ka nevojë për numër më të madh të noterëve dhe se tani po dëshmohet se pse e kërkonte këtë.

“Qartë po shihet pse Tahirit i ka interesua rritja e numrit të noterëve të rinj, tani ka dal lista dhe jemi të vetëdijshëm që në mesin e tyre ka të tillë që e kanë kaluar testin në bazë të profesionalizmit, por ne mendojmë se ky proces ka qëllim dhënien e licencës për noterë dhe njerëzve të tyre duke vazhduar me kapjen e shtetit”, tha ajo.

“Në listë ka zyrtarë të ministrisë së drejtësisë, militantë partiakë dhe familjarë dhe tani nuk paska më vend për punësime në institucione dhe tani ka vazhdua kapja e vendeve të lira”, tha Haxhiu.

Haxhiu tha se këtë po e bëjnë që noterët të u shërbejnë më vonë për punët e pista të tyre.

“Në këtë konkurs kanë aplikua afër 600 aplikantë dhe si ka mundësi që bash personat e tyre ta kalojnë testin me shkrim si bashkëshortja e Ramiz Lladrovcit, Hajredin Kuçit, kushëriri i Kadri Veselit e shumë militantë të PDK-së”, shtoi ajo.

Haxhiu tha se procesi i rekrutimit duhet të anulohet edhe pse ata që e kanë kaluar me meritë u paraqitet problem por nuk mund të bëhen noterë disa militantë partiak.

“Ministri i Drejtësisë një proces e pati në dorë në kompetencë të tij dhe atë e komprometoi rëndë”, tha ajo.

“Me këta njerëz nuk mund të ecim tutje as në liberalizimin e vizave dhe askund tjetër”, shtoi Haxhiu.

“Ne insistojmë se ky proces duhet të kthehet në pikën zero dhe noterë të bëhen ata që e meritojnë dhe jo militantët dhe familjarët e këtij komisioni”, tha ajo.

Deputetja, Fitore Pacolli, tha se shtetet anëtarë të BE-së po hezitojnë të mbështesin Kosovën për liberalizim të vizave pikërisht për shkak të korrupsionit në vend.

“Hezitimet e fundit nga shtetet anëtare për të marrë një vendim kjo dilemë u thellua edhe më tepër”, tha ajo.

Pacolli tha se me veprime të tilla Kosova nuk mund të marr dritën jeshile nga shtetet anëtare të BE-së.

“Qytetarët e Kosovës e meritojnë liberalizimin e vizave, por me keqpërdorime të tilla këtë nuk mund ta bëjnë”, shtoi Pacolli.

Të ngjashme