Vetëvendosje ende pa përgjigje për ofertën e Shpend Ahmetit

Prishtinë | 12 Qer 2018 | 11:45 | Nga

Ndarja e Lëvizjes Vetëvendosje (VV), ka bërë që shumica në Kuvendin Komunal të Prishtinës të mos jetë në anën e kryetarit të kryeqytetit, Shpend Ahmeti.

Ahmeti i cili është bërë pjesë e Partisë Socialdemokrate (PSD), po kritikohet nga asamblistët e ish – partisë së tij se po i favorizon bashkëpartiakët në emërimin e tyre në ndërmarrjet komunale. Asamblisti nga radhët e VV-së në komunën e Prishtinës, Eman Rrahmani ka kritikuar Shpend Ahmetin.

Rahmani kishte theksuar se i pari i Prishtinës po tenton kapjen e ndërmarrjeve publike në Komunën e Prishtinës. Ai pari deklaruar se ka bërë tri ankesa në lidhje me vazhdimin e kundërligjshëm të konkursit për përzgjedhjen e katër anëtarëve në Bordin ‘Prishtina Parking’.

Sipas tij, këto veprime të Ahmetit janë të kundërligjshme.

Ndonëse, largimi nga VV-ja kishte prodhuar pakënaqësi te eksponentët e VV-së që kanë mbetur në asamblenë komunale dhe në udhëheqjen e drejtorive, prapë po diskutohet rindarja e dikastereve komunale.

Ahmeti ka propozuar që VV-ja ti drejtojë 4 drejtori, më mundësi që në një periudhë disa mujore të diskutohet edhe drejtoria e pestë.

Por, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Arben Vitia kishte theksuar për Telegrafin se oferta e marrë nga Ahmeti në takimet që i kishte zhvilluar ai si i deleguar i VV-së në këto diskutime, janë ndryshe.  Sipas tij, i pari i kryeqytetit iu kishte thënë se do  t’ua ofroj pesë drejtori më mundësi që të diskutohet edhe e gjashta.

Vitia ka theksuar për Telegrafin se propozimi i Ahmetit do të diskutohet në kryesi të Lëvizjes Vetëvendosje (VV), e cila më pas do ta dërgoj në Këshillin e Qendrës në Prishtinë, ku aty do të votohet se cili do të jetë vendimi.

“Këtë javë jemi të angazhuar me takimet e lëvizjes në kuadër të 140 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit dhe pas këtij aktiviteti vjen vendimi”, ka shtuar ai.

Ndryshe, pas largimit nga VV-ja të kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe disa prej asamblistëve të VV-së, i pari i kryeqytetit nuk e ka më shumicën në Kuvendin Komunal, kështu që ka filluar negociatat me ish – partinë e tij për ta ndarë pushtetin, por që ende nuk ka arritur një ujdi se si do të ndahen këto dikastere.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme