Vetëvendosje flasin për performancën: Do të marrin pjesë 3 mijë e 500 deri në 5 mijë veta

Prishtinë | 27 Maj 2020 | 16:13 | Nga Albana Hajdari

Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, ka thënë për Ekonomia Online se kanë pasur shumë ftesa nga qytetarët për të protestuar si shkak i zhvillimeve të fundit në vend. Pas provës së parë para disa ditë, Manxhuka theksoi se nesër do të bëhet prova e dytë por me përmasa më të mëdha. Manxhuka demantoi raportimet në lidhje me nesër se ky organizim do të jetë protestë, siç thotë ai do të jetë performancë prej 3500 e deri në 5000 persona.

“Në vazhdimësi gjatë kësaj kohe kemi pasur kërkesa e interesim të shumtë të qytetarëve për të protestuar në lidhje me zhvillimet në vend. Pas realizimit të suksesshëm të provës së parë nga qytetarët e aktivistë ne kemi menduar të realizojmë testin e dytë por në përmasa më të mëdha. Pra, kjo sigurisht se nuk është një protestë, por një performancë me 3500 deri në 5000 persona”, u shpreh Manxhuka.

Lëvizja Vetëvendosje ka lajmëruar Policinë e Kosovës për protestën që do ta organizojë të enjten në sheshet e Prishtinës.

Sipas lajmërimit të LVV-së në Policinë e Kosovës, protesta do të mbahet për dy orë – nga 17:00 deri më 19:00 – të enjten.

Përgatitjet teknike të protestës do të fillojnë në orën 16:00.

Lajmërimi i protestës nga Lëvizja Vetëvendosje vjen në periudhën kur pritet të publikohet aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për mandatarin e presidentit Hashim Thaçi.

Të ngjashme