Vetëvendosje: Me LDK-në koordinohemi për tarifën pas Coronavirusit

Prishtinë | 16 Mar 2020 | 18:03 | Nga Ekonomia Online

Dy partnerët në qeveri, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk janë duke gjetur gjuhë të përbashkët sa i përket tarifës për produktet serbe dhe boshnjake.

Nga partia që udhëhiqet nga Isa Mustafa, si shenjë paknaqësie që tarifa nuk është hequr kanë kërcënuar me largim nga koalicioni, duke thënë se Albin Kurti është fajtori.

Nga dje ishte paralajmëruar se do të hiqet pjesërisht tarifa e vendosur për produktet serbe e boshnjake. Megjithatë, kjo cështje i ka gjetur Lëvizjen Vetëvendosje dhe Lidhjen Demokratike pa një qëndrim unanim, duke bërë që as me 15 mars ky vendim të mos shkonte për votim.

Partia e Isa Mustafës bëri të ditur se nuk do të pranonte heqjen e pjesshme të tarifës, duke kërkuar që të hiqej plotësisht, derisa nga Vetëvendosje kanë insistuar në parimin e reciprocitetit të plotë ekonomik, politik e tregtar.

Kryeministri Albin Kurti tha se tarifa nuk do të hiqet shkaku se nuk kanë qëndrim të përbashkët brenda koalicionit, derisa me tone pak më të ashpër reaguan nga LDK-ja.

Zëvendëskryeministri Avdullah Hoti duke thënë se taksa duhet të hiqet plotësisht, akuzoi partnerin në qeveri se po bën lojëra politike, duke i humbur Kosovës donacione amerikane, sic ishte rast me bllokimin e fondeve të MCC-së.

Në anën tjetër, kreu i LDK’së, Isa Mustafa tha se fajtor për mos heqjen e tarifës është vetë Albin Kurti dhe tha se ai ka qëndrime dogmatike dhe me konspiracion.

Për këto reagime të Lidhjes Demokratike, Gazeta Express sot gjatë ditës ka dërguar pyetje në Lëvizjen Vetëvendosje.

Në partinë që udhëhiqet nga Albin Kurti se për tarifën do të gjejnë koordinim me partnerin e koalicionit, sapo situata të kthehet në normalitet. Momentalisht, sipas tyre prioritet është ruajtja e shëndetëtit dhe ekonomisë, si pasojë e situatës nga koronavirusi.

“Tash përqendrimi global është tek epidemia. Vendet janë duke marrë masa për ndalime të qarkullimit dhe lëvizjes së zakonshme. Prioritetet e mëdha janë dy, ruajtja e shëndetit dhe e ekonomisë. Kur të rikthehet normaliteti, do ta kërkojmë dhe do ta gjejmë koordinimin me partnerin e koalicionit edhe për këtë cështje, gjithnjë duke patur udhëheqës parimin kombëtar dhe parimin e ruajtjes së aleancës me ShBA e BE”, ka deklaruar për Gazetën Express, Arlind Manxhuka nga Lëvizja Vetëvendosje.

Thirrjen për heqje sa më të shpejtë të tarifës e kanë përsëritur sot edhe nga zyra e përfaqësuesit amerikan në dialog, Richard Grenell, derisa, që të zhblloket dialogu Prishtinë  – Beograd, edhe në Bashkimin Evropian kanë bërë të ditur se duhet të hiqet kjo masë.

Derisa heqja e pjesshme e taksës nuk gjeti pajtueshmëri në qeveri, atëherë, sic ka paralajmëruar kryeministri Albin Kurti, nga 1 prilli do të vazhdohet me reciprocitet të plotë, ekonomik, politik e tregëtar me Serbinë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme