Vetëvendosje nuk voton në KQZ për certifikim e Listës Serbe

Prishtinë | 23 Pri 2019 | 10:48 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

E plotësuar: Komisioni Qendror Zgjedhor shkon në pauzë dhjetëminutëshe për tu konsultuar lidhur me marrjen e një vendimi për certifikimin e Listës Serbe pas deklarimit të VV-ja se nuk do të votojë për katër kandidatët e kësaj partie për kryetar për katër komunat në veri.

Me propozim të anëtarit të LDK-së, Florian Dushi, Komisioni lëshoi mbledhjen për konsulta 10 minutëshe.

PDK-ja e VV-ja plotësojnë kushtet për certifikim, Vetëvendosje s’voton për kandidatët e Listës Serbe

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në mbledhjen e radhës ka shqyrtuar certifikimin e subjekteve politike për zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri të vendit, raporton Ekonomia Online.

Valmira Selmani, nga Zyra për Certifikimi të Subjekteve Politike, tha se nga PDK-ja dhe VV-ja janë plotësuar të gjitha kushtet për të marrë pjesë në zgjedhje.

“Kanë garuar tri parti politike PDK, VV dhe Lista Serbe. Kushtet për certifikim nga PDK-ja janë në përputhje të neneve për zgjedhje të përgjithshme dhe lokale dhe nenin për certifikimin e kandidatëve. Kjo parti nuk ka pasur gjoba të shqiptuara. Kandidatët: Leposaviq-Shaqir Hetemi; Zubin Potok- Hysen Mehmeti, Zveçan- Ilir Peci dhe Mitrovicë veriore- Gonxhe Çaushi”.

“Janë plotësuar të gjitha kushtet që subjekti politik së bashku me kandidatët e saj të certifikohen.  Kandidatët e VV-së janë Leposaviq- Fisnik Veseli; Zubin Potok- Liridona Karimani; Zveçan- Avdi Peci dhe Mitrovicë veriore- Erden Adiq”.

Adnan Rrustemi, anëtar i KQZ-së nga VV, tha se janë kundër kandidaturave të Listës Serbe, por jo kundër komunitetit serb.

Sipas tij, Lista Serbe është dashur të ofrojë dëshmi shtesë që distancohet nga qëndrime e Beogradit dhe të ofrojnë kandidatura të vlefshme.

“Mendoj që duhet të kemi parasysh disa çështje që të sqarohen paraprakisht. Duhet me bë të qartë, unë nuk jam kundër të asnjë etniteti në Kosovë, megjithatë e kuptojmë se jemi në një situatë të pazakontë. Edhe në arsye edhe në përmbajtje e formë dorëheqja e katër kryetarëve të komunave binte në kundërshtim me Kushtetutën”.

“Tre prej kandidatëve janë ish kryetarët e komunave që kanë dhënë dorëheqje më parë siç e thamë. Duhet ta evidentojmë kandidatët në fjalë së paku tre prej tyre me dorëheqjet që kanë dhënë në formën si e kanë dhënë për bindjen time bie në kundërshtim me kushtetueshmërinë dhe ligjshmërinë”.

“Lista Serbe është dashur të na ofrojë dëshmi shtesë që distancohet nga këto qëndrime dhe të ofrojnë kandidatura të vlefshme”.

Ai shtoi se KQZ-ja nuk duhet të qëndrojë indiferent karshi kësaj gjendje, raporton EO.

“Rikandidimi i tre të dorëheqjeve të cilët e kanë blloku qeverisjen lokale atje do të duhej të ishin të papranueshme. Lista Serbe do të duhej të ofronte kandidatë të tjerë”.

Stevan Veselinoviq, anëtari i KQZ-së nga Lista Serbe, tha se kjo parti po sulmohet politikisht, ngase sipas tij, nuk ka asgjë të keqe të rikandidojnë tre ish-kryetarët nga veriu i vendit.

“Sulmet politike vetëm e vërtetojnë që të sulmohen përfaqësuesit e subjekteve politike. Lista Serbe nëse i ka propozuar dhe gjithkush e ka të drejtë unë nuk e shoh këtë problem. Mendojë që këtu nuk ka vend për politikën”.

Florian Dushi, anëtarë i KQZ-së nga LDK-ja, tha se ideja se ish-kryetarët janë dorëhequr dhe nuk kanë të drejtë për rikandidim do të krijonte precedent tjetër problematik.

Prandaj ai rekomandon që KQZ-ja të shmanget nga vlerësimet politike.

“Autorizimet e këtij institucioni janë të kufizuara dhe ne do duhej t’i respektojmë dispozitat ligjore që i rregullojnë. Mund të jetë problematike në aspektin etik dhe politik rikandidimit të kandidatëve që ne dorëheqjet e tyre kanë provokuar organizimin e zgjedhjeve atje, ashtu siç zyra ka dal me rekomandimin e saj, KQZ do të duhej të mos e problematizojë këtë çështje përtej autorizimeve të veta”.

“Me gjithë mangësitë që mund të jenë evidentuar në proceset e mëparshme, mendoj duhet të shikojmë interesin nacional dhe LDK-ja, që më atë pjesë të kemi institucione që marrin përgjegjësi. Zyra nuk do ta kishte rekomandime nëse të njëjtit nuk do ta respektonin ligjin në fuqi”.

“Ideja se janë dorëhequr dhe nuk kanë të drejtë do të krijonte precedent tjetër problematik. Të shmangemi nga vlerësimet politik që nuk kanë vend në KQZ”.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka ka kërkuar nga anëtarët që t’i respektojnë ligjet në fuqi dhe të mos bëjnë vlerësime politike.

“Këtu jemi të pavarur, pavarësisht që vimë nga subjektet politike”.

Partia Demokratike të Kosovës (PDK) Lëvizjes “Vetëvendosje” edhe Lista Serbe kanë aplikuar në Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ) për certifikim në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 19 maj të këtij viti, raporton Ekonomia Online.

Afatin për aplikim për certifikim të subjekteve politike, ka filluar më 9 prill dhe ka përfunduar më 18 prill, raporton EO.

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore të drejtë vote kanë 58 520 votues, me dallim prej 1 507 votues më shumë, në krahasim me Zgjedhjet e Lokale të datës 22 tetor 2017.

Të drejtë vote në Mitrovicën veriore kanë 22 242 persona; në Leposaviq 18 390 persona në Zveçan 9.276 persona dhe në Zubin Potok 8 612 persona kanë të drejtë vote.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka shpallur zgjedhjet për katër komunat veriore të Kosovës: Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë Veriore pas dorëheqjes së kryetarëve atje shkaku i taksës prej 100 për qind ndaj produkteve me origjinë nga Serbia.

Të ngjashme