Vetëvendosje: Paqja me Serbinë vendoset kur SHBA-ja mbështet drejtësinë ndërkombëtare

Prishtinë | 21 Sht 2020 | 13:21 | Nga Ekonomia Online

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas deklaratës së presidentit të SHBA-së, Donald Trump i cili në një tubim elektoral ka thënë se kanë ndaluar “vrasjet masive mes Kosovës dhe Serbisë”.

Përmes një komunikate për media, VV-ja ka thënë se besimi se lufta e Kosovës e ka themelin te urrejtjet e lashta etnike, e te mospërputhja esenciale mes popullit serb e shqiptar, është besim i gabueshëm, i cili injoron rolin kryesor të Milosheviqit dhe regjimit të tij në shkaktimin e luftës.

Po ashtu, sipas Vetëvendosjes ky besim anashkalon faktin se lufta nuk u urdhërua e nuk u organizua “prej qytetarëve”, por prej ushtrive e policive, me hierarki e përgjegjësi të qartë komanduese.

“Këtë temë e shtjellon historiani Noel Malcolm, ‘Kosova – Një histori e shkurtër’, i cili tash e dy dekada është bërë lektyrë për ushtarakët e KFOR-it, pra edhe ata amerikanë, të stacionuar në Kosovë, dhe mendojmë se duhet të lexohet edhe prej diplomatëve e këshilltarëve të presidentit që merren me çështjen e Kosovës e atë të Serbisë”, thuhet në njoftim.

Sipas Vetëvendosjes, nëse lufta në Kosovë do të kishte qenë e karakterit etnik atëherë kurrë nuk do të intervenonte NATO dhe Milosheviqi nuk do të mund të konsiderohej përgjegjës prej vetë SHBA-së, NATO-s, OKB-së, e vendeve kryesore demokratike të botës.

“E vërteta është që prapa krimeve e masakrave qëndronte një aparat shtetëror gjenocidal (i cili më herët kishte sulmuar në Slloveni, Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë), kurse në anën tjetër populli shqiptar i pambrojtur në Kosovë, që u vetëmbrojt. NATO nuk mund të qëndronte duarkryq teksa Srebrenica po përsëritej në Kosovë”, thuhet tutje në komunikatën e VV-së.

Sipas tyre, kjo deklaratë vjen në një kohë kur Serbia ka ushtrinë më të armatosur dhe buxhetin më të madh ushtarak në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Serbia blen armë prej Perëndimit, por ç ‘është më e keqja, vazhdimisht blen prej Rusisë, e së fundi u bë vendi i parë evropian që blen sisteme armatimi prej Kinës. Ndërsa Kosova, e cila ka partner të vetëm gjeopolitik perëndimin, ShBA e NATO, ka një ushtri minimale, nuk ka as armatim të rëndë e as buxhet të mjaftueshëm. Si mund ta rrezikojë Kosova e varfër dhe e çarmatosur Serbinë? Është Serbia ajo që ka pretendime në Kosovë, dhe armatimi i saj ofensiv nuk ka për synim vendet e largëta të botës, por pikërisht vendet fqinje e në radhë të parë Kosovën”, thuhet në njoftim.

Me këtë qasje rehabilituese të kriminelëve të luftës, Vetëvendosja thotë se nuk po vendoset paqja mes Kosovës e Serbisë, por po zgjatet konflikti i ngrirë.

“Paqja vendoset kur dënohen e çarmatosen fajtorët e kur ShBA mbështet drejtësinë ndërkombëtare dhe pavarësinë e Kosovës, siç ka bërë gjithnjë. Paqja vendoset kur Serbia e njeh Kosovën e pavarur dhe ballafaqohet me të kaluarën e saj. Jo kur rehabilitohen ish bashkëpunëtorët e Milosheviqit që bënë agresion e kryen gjenocid”, thuhet tutje në njoftim.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme