Vetëvendosje përmbyll fushatën me tubim të madh në Prishtinë

Prishtinë | 09 Qer 2017 | 21:02 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kandidati për kryeministër i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka shpalosur planin e kësaj partie për të qeverisur vendin në mandatin e ardhshëm.

Pas çdo paragrafi e ka përsëritur se “e vetmja shpresë është te numri 35”. Nuk e ka vënë në dyshim fitoren në zgjedhjet e së dielës.

“Gjatë këtyre viteve e kemi ndërtuar fitoren tonë, gjatë këtyre ditëve të fushatës e kemi shpallur fitore tonë, me 11 qershor do ta mbrojmë e me 12 qershor do ta festojmë fitoren tonë, pikërisht në 12 vjetorin e themelimit të Lëvizjes sonë”, ka thënë Kurti.

Kurti ka thënë se Qeveria e tij do të ketë edhe vizion afatgjatë por do të marrë edhe vendime të menjëhershme. Pensioni minimal i moshës ka thënë se do të jetë 150 euro dyfish më i madh, derisa do t’u garantohet një shujtë fëmijëve prej klasës së parë deri në të pestën, siç ka bërë në Prishtinë.

“Do të japim shtesa për familjet që kanë fëmijë nën moshën 15 vjeçe. Qytetarët nuk do të kenë nevojë të shkojnë në spitale jashtë vendit”, ka thënë Kurti.

“Duhet ta humanizojmë sistemin tonë politik ku njeriu është në qendër, e jo malli”, ka thënë më tej ai.

Kurti ka thënë se Kosova ka nevojë për një brez të ri të biznesmenësh prodhues, jo aso që siç ka thënë u pasuruan në trancizion apo milionin e parë e bënë në kohë të Serbisë. Me Fondin Sovran, Bankën Zhvillimore dhe Agjencinë Zhvillimore të Kosovës ka thënë se do të garantohet kjo.

Kurti ka thënë se në të kaluarën “i kanë ndjekur hajnat me drita të gjata, që ata të shohin për të ikur. Me Lëvizjen Vetëvendosje do ta bëjmë ligjin antimafia. Prokurorët do të shtohen, do t’u shtohen truprojat e xhipat e blinduar për të luftuar krimin e korrupsionin”.

Kurti ka dhënë zotimin e betimin me mendje e me zemër për të punuar në të mirë të shtetit të Kosovës.

Albin Kurti, kandidat për kryeministër nga lëvizja Vetëvendosje, tha se ky ishte tubimi më madhështor që nga Kosova e pasluftës.

Sipas tij, më 12 qershor nuk do të festohet vetëm 18-vjetori i çlirimit të Kosovës por edhe fitorja e Vetëvendosjes.

Sipas Kurtit, qeveria e VV-së do të jetë afatgjatë, por do të ketë masa të menjëhershme.

“Nuk do të kemi nevojë për spitale turke, do t`i kemi tonat. Në Kosovë nuk kemi trotuare, kemi siguri për vetura, por jo siguri për njerëzit. E vetmja shpresë është numri 35. Në qeverisjen e PDK-së e LDK-së, mungesa e strehimit rritej prej vitit në vit, sa më shumë ndërtesa pa leje, aq më shumë familje pa strehë”, tha Kurti.

Sipas kandidati për kryeministër, ndryshimi duhet të bëhet me 11 qershor dhe  e vetmja shpresë, sipas tij, është numri 35.

Ahmeti: Ata po luftojnë mes vete, ne po rritemi

E kryetari i Prishtinës, njëkohësisht kandidat për deputet, Shpend Ahmeti, ka thënë se para tri vitesh Prishtina guxoi të bënte ndryshimin e madh duke ia besuar qeverisjen e kryeqytetit Vetëvendosjes. Ai foli edhe për koalicionet e partive politike, rivale të VV-së.

“Ironia është se përderisa koalicionet janë të ndara LVV është e bashkuar ata po luftojnë brenda vetes, e ne po rritemi jashtë”, tha Ahmeti.

Ai njërin koalicion e quajti krah të luftës për pushtet, e tjetrin e quajti koalicion të dorëzimit dhe të nënshtrimit, sepse, sipas tij, i janë dorëzuar klanit printo dhe luftës për pushtet.

Dërguti: Gratë janë përjashtuar nga jeta publike e ekonomike

Ish-nënkryetarja e Kuvendit, Aida Dërguti, ka deklaruar se janë gratë dhe vajzat e Kosovës ato që e kanë vuajtur më së shumti “këtë sundim”.

“Vetëm një në shtatë gra është e punësuar. Ato janë përjashtuar dhunshëm nga jeta publike e ekonomike e Kosovës”.

Por, sipas saj, me Vetëvendosjen, “gratë e vajzat sot janë plot shpresë bashkë me burrat e djemtë, duke parë të tashmen në sy. Qytetaret e Kosovës po flasin për të ardhmen që po vjen”.

Ymeri: Nuk mund të ketë fillim të ri, me koalicionet e së vjetrës

Kryetari i VV-së, Visar Ymeri, ka krahasuar përmbylljen e fushatës me protestë.

“Mirë se u takuam në këtë protesta, mirëpo njëkohësisht është edhe festa jonë” ka thënë ai, duke shtuar se po protestojnë kundër pazareve që i bërë shtetit.

Ymeri tha se nuk mund të ketë fillim të ri, me koalicionet e së vjetrës.

“Klani ‘Pronto’ e shfrytëzoi pasurinë e Kosovës për t’u pasuruar dhunshëm. Këta do duhej të turpëroheshin, por këta nuk kanë turp. Gjatë këtyre viteve të fundit, tellallët dhe zëdhënësit e pushtetit më shumë e sulmonin Lëvizjen Vetëvendosje, sesa Serbinë e Vuçiqin. Ne sot po korrim suksese dhe fitore, për kundër vështirësive të jashtëzakonshme që na ka vënë ky pushtet”, tha Ymeri.

Hoxha: Ky koalicion është aq i madh dhe i ka frikësuar kundërshtarët

Yll Hoxha ka thumbuar rivalët politikë, Kadri Veselin, Isa Mustafën, Ramush Haradinajn e Avdullah Hotin.

“Ia kemi ndalur në fyt turin e dëgjimit, e do t’ia nxjerrim për hunde turin e përgjimit”, tha Hoxha, duke iu referuar Kadri Veselit.

“Thonë që ka qenë trim gjatë luftës, çdo respekt. Por kur trimëria nuk është e bashkangjitur me dituri është e rrezikshme”, tha Hoxha për Haradinajn.

“E kanë vendosur një kandidat sa për sy e faqe”, tha Hoxha duke shtuar se LDK-në e ka kapur, sipas tij, klani i nepotizmit dhe korrupsionit.

Mijëra simpatizantë mblidhen në sheshin “Skënderbeu”

Kandidati për kryeministër nga VV, Albin Kurti i është bashkuar qytetarëve të shumtë dhe bashkë partiakëve në sheshin “Skënderbe”.

Ai ishte i shoqëruar edhe nga kreu i VV-së Visar Ymeri dhe kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti.

Në sheshin “Skënderbeu”, janë mbledhur numër i madh i qytetarëve duke pritur që të fillojë tubimi përmbyllës i lëvizjes Vetëvendosje.

 Image may contain: 6 people, people standing

Të ngjashme