Vetëvendosje prezenton video për natën e sulmit në Kuvend

Prishtinë | 01 Dhj 2016 | 14:01 | Nga Albulena Misini Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Gjatë një konference për media sekretari i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj, ka paraqitur disa prova të cilat, sipas tij, dëshmojnë për pafajësinë e aktivistëve të Vetëvendosjes, të cilët janë akuzuar për sulmin në Kuvendin e Kosovës më 4 gusht.

Molliqaj ka prezantuar një video përmes së cilës tregohet vendndodhja e aktivistëve, Petrit Ademi, Egzon Haliti, Atdhe Arifi, Adea Batusha, Frashër Krasniqi si dhe tashmë të ndjerit Astrit Dehari, natën kur ka ndodhur sulmi.

“Për secilin prej aktivistëve ekziston alibia e mbështetur nga fakte të fuqishme. Përmes kësaj videoje garantohet qind për qind, që në natën e kur ka ndodhur sulmi në kuvend, aktivistët nuk kanë qenë aty”, ka thënë Molliqaj.

Ai theksoi edhe se në vendimin e gjyqtarit ekziston kontradiktë e paparë deri tani.

“Në vendim thuhet se janë ndaluar sepse mund të kenë lidhje me organizata të huaja, ndërsa i vetmi që ka lidhje me organizata të huaja ku punon është Petriti, ndërsa ai ka masën më të butë, pra është liruar. Me këtë dua të them se asnjë nga aktivistët tanë nuk ka qenë në atë pjesë kur ka ndodhur sulmi ndaj Kuvendit”, ka thënë ai.

Molliqaj, i bëri thirrje policisë që të shkojë të kontrollojë historikun e dy telefonive mobile “Vala” dhe “Ipko” dhe pastaj të krahasohen me pamjet e kamerave të sigurisë, “që nëse telefonat gjenden në ato vende ku janë treguar në kamera të sigurisë atëherë nuk ka më dyshime”.

Molliqaj ka bërë të ditur që dëshmitë do të dërgohen në Gjykatën Themelore dhe Prokurorinë Themelore, edhe pse sipas tij, “këto fakte tashmë janë aty”.

Ndërsa, familjarët e aktivistëve dhe avokatët e tyre do të dërgojnë ankesë për vendimin e vazhdimit të dënimeve në Gjykatën e Apelit pastaj edhe në Gjykatën Supreme.

Të ngjashme