Vetëvendosje s’del prej koalicionit me LDK-në në Vushtrri

Prishtinë | 30 Maj 2020 | 13:13 | Nga Ekonomia Online

Vetëvendosja dhe LDK-ja në Vushtrri do të vazhdojnë të bashkëqeverisin, pasi ndërprerjes së koalicionit në nivelin qendror. Kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri ka thënë se në degën e LDK’së në këtë komunë nuk është në agjendë një gjë e tillë. Edhe nënkryetari i kësaj komune, Besim Muzaqi, që vjen nga Vetëvendosja ka thënë se nuk është e vërtetë që koalicioni do të prishet.

‘Koalicioni i Shpresës’ që zgjati vetëm 50 ditë në nivelin qendror mes VV’së dhe LDK’së nuk do ta afektojë koalicionin komunal në Vushtrri mes dy partive.

Dy subjektet politike, kanë lidhur koalicion në Vushtrri në nëntor të vitit 2017 pas zgjedhjeve lokale.

Kryetari dhe nënkryetari i Vushtrrisë që janë nga LDK’ja përkatësisht VV’ja kanë thënë për Gazetën Express se koalicioni mes dy subjekteve politike në këtë komunë do të vazhdojë.

Xhafer Tahiri tha se dega e LDK’së në Vushtrri nuk ka në agjendë prishjen e koalicionin me Vetëvendosjen kur është pyetur për këtë çështje.

“Unë nuk kam informacion të tillë, si dhe nuk kam asnjë informatë nga Lëvizja Vetëvendosje për këtë çështje, vendimi është i tyre por nuk kam një informacion të tillë. Tek dega e LDK’së në Vushtrri nuk është diskutuar një gjë e tillë, dhe nuk është diçka që kemi në agjendë”, tha Tahiri për Express të shtunën.

Ndërkaq, Besim Muzaqi që është nënkryetar i Vushtrrisë dhe kryetar i degës së Vetëvendosjes në këtë komunë ka thënë se nuk është e vërtetë që koalicioni me LDK’në do të ndërpritet.

“Jo nuk është e vërtetë, së paku unë nuk kam asnjë informatë, mund të flas për aq sa di por informatë s’kam kurrfare”, u shpreh Muzaqi.

Vetëvendosja dhe LDK’ja kanë prishur koalicionin edhe në Prizren në shkurt të këtij viti, pak ditë pasi ishte votuar qeveria Kurti.

Mytaher Haskuka që drejton komunën e Prizrenit, kishe deklaruar se kanë vendosur të prishin koalicionin me LDK’në në këtë komunë, pasi LDK’ja nuk ka marrë pjesë në votimin e kryesuesit të ri të Kuvendit Komunal.

Të ngjashme