Vetëvendosje s’e ka diskutuar shkarkimin e Osmanit, thonë se rasti i saj dallon me atë të Aida Dërgutit

Prishtinë | 22 Sht 2020 | 18:29 | Nga Ekonomia Online

Nga 3 shkurti i 2020-ës, Vjosa Osmani, mban funksionin e Kryetares së Kuvendit të Kosovës, sipas marrëveshjes së nënshkruar për bashkëqeverisje në mes të Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së, parti që i takonte Osmani.

Ndonëse, ky koalicion u shpërbë më 25 mars, e pastaj edhe Osmani u largua nga LDK, ajo ende vazhdon ta ushtrojë detyrën.

Kjo duket se nuk është duke i penguar Lëvizjes Vetëvendosje, së cilës, si parti e parë e dalë në zgjedhjet e 6 tetorit 2019, sipas Kushtetutës i takon ta mbajë këtë post.

Një iniciativë për shkarkimin e Osmanit, mohojnë se kanë plan ta ndërmarrin në lëvizjen që drejton Albin Kurti.

Zëdhënësi i këtij subjekti politik, Përparim Kryeziu, është shprehur se diçka e tillë nuk ka qenë subjekt diskutimi në asnjërën nga mbledhjet e Kryesisë së LVV-së.

Ai ka thënë se rasti i tanishëm i Vjosa Osmanit, ka dallim me atë të Aida Dërgutit, e cila mbante pozitën e nënkryetares së Kuvendit të Kosovës edhe pas kalimit në Partinë Social Demokrate.

“Konsideroj se krahasimi i dy rasteve është i paqëndrueshëm. Duke filluar, e për vet faktin se rasti i parë, ne besojmë, paraqet përvetësim të mandatit të deputetit e rrjedhimisht pozitës së nënkryetares që nuk pasqyronte vullnetit e qytetarëve, i cili vullnet ishte tjetërsuar atëherë kur deputetja në fjalë doli nga LVV me të cilën u bë pjesë e Kuvendit, ndërsa insistonte të ishte pjesë e po të njëjtit kuvend ndërkohë që mandati ishte i vjedhur”, është shprehur Kryeziu për klankosova.tv.

Në LDK, parti që deri para pak muajsh Vjosa Osmani mbante funksionin e nënkryetares, thonë se kjo çështje nuk u përket më atyre.

“Pyetja nuk lidhet me pozitën e Vjosës në LDK. Ne nuk jemi në koalicion me Vetëvendosjen. Prandaj pyetjet për sqarime ia adresoni VV-së”, kanë thënë shkurt nga Zyra për Media e LDK-së.

Për PSD-në, rasti i Vjosa Osmanit me atë të Aida Dërgutit janë të ngjashëm, por që sipas tyre dallimi është tek standardi i dyfishtë i Kryetarit të VV-së, Albin Kurti, karshi këtyre dy rasteve.

“Vetëvendosjen e sidomos Albin Kurtin duhet ta kuptojmë si instrumentalizues. Edhe pse gjendemi përpara dy situatave të njëjta, pra kur ka qenë Aida Dërguti kryetare e Kuvendit dhe tani kur Vjosa Osmani është kryetare e Kuvendit, reagimi i ndryshëm i VV-së e Kurtit përballë këtyre situatave tregon vetëm që ai nuk ka qenë në gjendje të instrumentalizoj Aidën prandaj ka kërkuar shkarkim e tani Vjosa është plotësisht nën shërbimin e Kurtit e VV-së”, është shprehur për klankosova.tv, Natyra Kuçi, zëdhënëse e PSD-së.

“Problemi thelbësor i VV-së dhe Kurtit është që këta nuk shohin partner të barabartë me të cilët bashkëpunojnë por vetëm instrumente të cilët këtyre iu shërbejnë e hedhën tutje në momentin që ka dallime aty”.

Për analistin politik, Faton Abdullahu, Lëvizja Vetëvendosje është duke e lënë jorastësisht Vjosa Osmanin në krye të institucionit më të lartë legjislativ.

“Osmanin e përdorë dhe do ta përdorë VV-ja për qëllime të veta politike”, është shprehur ai për klankosova.tv.

“E keqja është se tash sa kohë krejt kjo po ndikon keq në bashkëpunimin ndërinstitucional Qeveri – Kuvend -Presidencë. Është e pashmangshme se kjo mungesë bashkëpunimi i topitë aktivitetet e këtyre institucioneve dhe kjo, sidomos në raport me, dialogun me Serbinë dhe luftimin e pandemisë, bëhet shumë e dëmshme”.

Për Abdullahun edhe vet Osmani nuk do ta lëshojë këtë post, siç është shprehur, sepse i duhet edhe si bazë katapultimi në një pozitë tjetër për të cilën ajo ende nuk ka vendosur.

“Largimi i Osmanit nga kjo pozitë do të ishte shumë e dëmshme për karrierën e saj në të ardhmen e afërt”.

“Fundja Vjosa Osmani ka shumë vota dhe këtë pozitë nuk e mban të okupuar por me vullnet të qytetarëve. Kjo nuk mund të kundërshtohet tani me logjikën se ato vota Osmani i ka fituar me LDK e jo vetëm. Është çështje tjetër se Osmani, tash sa kohë, nuk e ka përkrahjen e partisë së saj LDK, por të partisë tash opozitare VV-së dhe krejt në kundërshtimin me Qeverinë të cilës i prinë LDK”.

Të ngjashme