Vetëvendosje synon përfaqësim të barabartë të grave dhe burrave në vendimmarrje

Prishtinë | 09 Sht 2018 | 14:20 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Gruaja duhet të ketë rol vendimmarrës në vend, u tha sot në tubimin mobilizues me vajza dhe gra të organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje me temën “Gruaja në Lëvizje – Rëndësia e përfshirjes në struktura dhe pjesëmarrja aktive në vendimmarrje”.

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, tha duhet të rritet pjesëmarrja e grave në politikë.

“Nuk është zgjidhja e mjaftueshme përmbushja e kuotave. Ne duhet të punojmë më shumë që ta rrisim anëtarësimin e grave. Çdo i katërti anëtar në LVV është grua. Kjo duhet të ndryshojë shpejt. Shumica e grave i rrinë larg politikes. Në këtë situatë patriarkale, mirëpo edhe politika është larg nga gratë. Shoqëria sot padrejtësisht iu kërkon më shumë sakrifica grave sesa burrave për t’u angazhuar në sferën publike. Prandaj duhet të angazhohemi të gjithë për të siguruar të drejta të barabarta për gratë në shoqëri”, tha ai.

Nënkryetarja e VV-së, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, tha se synimi i Vetëvendosjes është që të ketë përfaqësim të barabartë të grave dhe burrave në vendimmarrje.

“Është fatkeqësi ende të flasim për të drejta të grave. Gruaja e ka obligim jo vetëm që të luftojë për realizimin e të drejtave të veta, por edhe për të drejtat e të gjitha grave në botë. Duke pasur parasysh zhvillimet në vend duhet të dëgjohet zëri i të gjithë qytetarëve që të ndalim njerëzit e paautorizuar që të flasin për integritetin e vendit. Ne i themi stop atyre që po bëjnë pazar me shtetin dhe të drejtat tona. Subjektet politike duhet të jenë shembull i demokratizimit të shoqërisë”, u shpreh Mulhaxha-Kollçaku.

Deputetja Albulena Haxhiu tha se Vetëvendosje është e përkushtuar të angazhohet në garantimin e të drejtave të barabarta të grave.

“Si kurrë më parë, në agjendë të Vetëvendosjes është e përfshirë pjesëmarrja aktive e grave në vendimmarrje. Shumë shpesh kryeministri, kryetari i Kuvendit, por edhe mediet e regjimit kanë dashur t’i trembin gratë e Vetëvendosjes, mirëpo vetëm ma të forta na kanë bërë”.

“Barazia shoqërore e Vetëvendosjes asnjëherë nuk mund të arrihet nëse ne nuk angazhohemi bashkë”, u shpreh Haxhiu.

Të ngjashme