Vetëvendosje takon përfaqësuesit e organizatave ndërkombëtare financiare

Prishtinë | 26 Tet 2018 | 17:54 | Nga Ekonomia Online

Shefja e misionit për Kosovën, znj.Stephanie Eble, dhe përfaqësuesi rezident për Kosovën, Ruud Vermeulen, nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), dje vizituan Lëvizjen VETËVENDOSJE!. Ata u pritën nga kryetari, Albin Kurti, nënkryetari i parë, Besnik Bislimi, dhe anëtarët e Komitetit për politika financiare, Edison Jakurti dhe Vatra Qehaja.

Gjatë takimit u diskutua për Ligjin për buxhetin dhe një sërë çështjesh tjera politike e ekonomike. Përfaqësuesit nga FMN-ja shprehën interesimin e tyre për të dëgjuar qëndrimet e Lëvizjes për situatën politike dhe ecurinë e punës në Kuvend. Gjithashtu, ata shprehën shqetësimet e tyre për stabilitetin fiskal të Kosovës në të ardhmen.

Përfaqësuesit nga Lëvizja shprehën shqetësimet e tyre rreth zhvillimeve politike dhe ekonomike në vend, duke përfshirë këtu edhe një numër vërejtjesh rreth Ligjit për buxhetin. Ndër të tjera, u theksua edhe mos zbatimi i rezolutës për Telekomin, i cili gjendet në një situatë tejet të vështirë menaxhuese e financiare; falja e 53 milionë eurove kompanisë Bechtel & Enka; dhe problemet që dalin nga marrëveshja me Contour Global-in për termocentralin “Kosova e Re.”

Takimi u përmbyll me dakordimin e dy palëve për të vazhduar komunikimin e ndërsjellë në të ardhmen.

Ndërsa sot, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, bashkë me nënkryetarin e parë, Besnik Bislimi, dhe asistenten e kryesisë, Valë Gjonbalaj, pritën në takim në zyret e Lëvizjes përfaqësuesin e Bankës Botërore në Kosovë, Marco Mantovanelli, dhe zyrtarin e tij për komunikim dhe media, Lundrim Aliu.

Gjatë takimit u diskutua mbi zhvillimin ekonomik dhe atë social dhe sfidat që hasen në sektorë të ndryshëm në Kosovë, veçanërisht në shëndetësi dhe arsim. Kryetari dhe nënkryetari shpalosën qëndrimet e Lëvizjes, të cilat bazohen në një model ekonomik që, në një anë, synon ta heqë Kosovën nga kriza dhe, në anën tjetër, përqendrohet në zhvillim të qëndrueshëm. Të dy palët u pajtuan mbi nevojën e rritjes së mundësive për punësim cilësor në tregun e Kosovës.

Në fund, të gjithë u dakorduan se është e nevojshme dhe produktive që takime të tilla të mbahen sa më shpesh.

Të ngjashme