Vettingu – 24 muaj vetëm për hartimin e bazës ligjore, askush s’duhet t’i frikësohet këtij procesi

Prishtinë | 16 Shk 2020 | 08:17 | Nga Albanë Hajdari Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Dy vjet do tu duhen institucioneve për hartimin e bazës ligjore në mënyrë që të realizohet procesi i Vettingut.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka kërkuar nga departamente brenda dikasterit që drejton hartimin e dokumenteve të nevojshme.

Haxhiu në një intervistë për Ekonomia Online ka sqaruar se ky proces do të zhvillohet në bashkëpunim me Kuvendin e Kosovës.

Ajo theksoi se do të punojë intensivisht për ta kthyer besimin në institucionet e drejtësisë.

“Kam përmendur një afat prej 24 muajsh, ky afat më shumë ka pasur të bëjë me hartimin e bazës ligjore për realizimin e procesit të Vettingut. Me verifikimin e nivelit të lartë të institucioneve drejtësisë. Në këtë rast KGJK, Këshilli Prokurorial, Kryeprokurori, kryetarëve të gjykatave”.

“Do të punojmë pa ndalur me ekspert të shumtë për realizimin në kohë reale. Për ta kthyer besimin në institucionet e drejtësisë. Kam kërkuar raportin e rishikimit funksional”.

“Kam kërkuar nga departamentet përkatëse brenda Ministrisë së Drejtësisë që të punojmë me koncept dokumente që të nisim hartimin e bazës ligjore, por qëllimi im është që të bëjmë në koordinim me Kuvendin”, u shpreh ministrja Haxhiu duke shtuar se bashkëpunimi me shoqërinë civile do të jetë i pashmangshëm.

Kurse organizatat e shoqërisë civile që monitorojnë punën e sistemit të drejtësisë në Kosovë, thonë se Vettingu është e vetmja zgjidhje për ta kthyer funksionimin e mirëfilltë të sistemit të drejtësisë.

Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), potencoi për Ekonomia Online, se ka pasur shkelje të mëdha në sistemin e drejtësisë, andaj siç tha ai procesi i Vettingut do të kthejë funksionalizimin e sistemit të drejtësisë në vend.

Musliu theksoi se periudha 24 muajsh nuk është e mjaftueshme, pasi sipas tij, nevojitet edhe konsensus politik si dhe ndryshime kushtetuese e ligjore.

Sipas tij, Vettingu do të pastrojë institucionet nga korrupsioni e krimi i organizuar dhe do ta kthejë besimin e qytetarëve në drejtësi.

“Kemi parë që ka pasur shkelje të mëdha dhe kalime të personave që kanë pasur integritet të kontestuar dhe kanë arritur të marrin pozitën e bartësit të funksionit qoftë në gjyqësor dhe prokurori. Kemi pasur edhe persona që duke u riemëruar duke u bërë prokurorë, pa e pasur provimin e jurisprudencës”.

“E kemi vlerësuar se e vetmja zgjidhje për ta kthyer në zero funksionimin e mirëfilltë të sistemit të drejtësisë është Vettingu i thellë që duhet të përfshijë policinë, prokurorinë dhe gjyqësorin. Periudha 24 muajsh nuk është e mjaftueshme për ta përmbyllur një proces të tillë të rëndësishme pasi nuk është çështje e thjesht, por kërkon konsensus nacional dhe të gjitha partive politike në Kuvend. Nevojiten ndryshime kushtetuese dhe ligjore. Kjo periudhë kohore nuk mjafton dhe ky proces nuk duhet të bëhet me nguti”.

“Askush nuk duhet të frikësohet nga ky proces, ata që janë të pastër do të mbesin aty, por ata që me integritet të kontestuar që i shërbejnë agjendave kriminale dhe politike nuk mund të jenë pjesë e sistemit të drejtësisë. Vetëm Vettingu mund të pastrojë këta individ në këtë proces si dhe mund ta kthejë besimin e qytetarëve në drejtësi”, u shpreh Musliu.

Drejtoresha ekzekutive e Grupit për Studime Ligjore dhe Politike (GLPS), Arbresha Loxha deklaroi se Vettingu nuk duhet të jetë proces ad-hock.

Siç tha ajo, kjo do të përfshijë një rishikim të pozitave të individëve në institucionet më të larta të drejtësisë pastaj edhe në institucionet e tjera që janë subjekt i krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Loxha theksoi se ky proces duhet të bëhet me vullnet dhe konsensus politik dhe të jetë i vazhdueshëm për të gjitha qeveritë.

Mes tjerash, Loxha potencoi se nuk është e rëndësishme kohëzgjatja e këtij procesi, por krijimi i një shteti ligjor.

“Është e rëndësishme që sistemi i drejtësisë t’i nënshtrohet procesit të reformës substanciale. Që nuk nënkupton ndryshime sipërfaqësore, ad-hock por një procesi të thellë. Vettingu përfshinë një mekanizëm të rishikimit automatik të individëve që kanë pozita në institucionet që kanë për detyre krijimin e një shteti ligjor. Përfshirë gjykatat, prokurori, këshillat por edhe me tej, policinë, AKI, Doganat dhe institucionet e tjera që janë subjekt i korrupsionit”.

“Është e rëndësishme që ky proces të bëhet me kujdesin më të madh dhe të ekzistoj vullnet i madh politik dhe konsensus politik që të bëhet në mënyrën më të mirë të mundshme. Të behet dizajnimi i ekspertëve dhe jo nga trupat brenda ministrisë. Nuk është e parishkrueshme se sa do të zgjasë, por që të jetë proces  i mbarë dhe i vazhdueshëm për gjitha qeveritë”, ka thënë Loxha.

Të ngjashme