Vëzhguesit e BE-së: Zgjedhje vërtet konkurruese, por me disa dobësi të vjetra

Prishtinë | 13 Qer 2017 | 11:56 | Nga Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Zgjedhjet e 11 qershorit në Kosovë ishin vërtet konkurruese në pjesën më të madhe, por kërkohet vullnet politik për adresimin e dobësive të vjetra, dhe frikësimit në rajonet e banuara me serbë të Kosovës.

Misioni i Bashkimit Evropian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve (EU EOM) paraqiti sot gjetjet preliminare për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit në Kosovë.

Shefi i Misionit, Alojz Peterle, deputet i Parlamentit Evropian, tha se zgjedhjet e së dielës ishin vërtet konkurruese dhe të qeta në pjesën më të madhe të Kosovës.

“Votuesve në përgjithësi ju ofruan informacione pluraliste për forcat politike që ishin në garë,” tha Peterle, sot në një konferencë për shtyp në Prishtinë.

“Megjithatë, zgjedhjet u ndikuan negativisht nga dobësitë e vjetra, veçanërisht nga listat e pasakta të votuesve që janë të cenueshme ndaj mashtrimeve, një sistem zgjedhor që lë mundësi për abuzim, dhe një sistem me shumë të meta për votim jashtë Kosovës.”

“Këto çështje do të kërkojnë vullnet dhe përkushtim politik për të bërë reformat e nevojshme”, tha Peterle.

EU EOM-i vlerësoi se “në zonat me shumicë serbe, procesi zgjedhor u dëmtua nga frikësimi dhe rastet e dhunës brenda komunitetit serb të Kosovës kundër kandidatëve dhe votuesve. Po ashtu pati një reagim të pamjaftueshëm nga prokuroria dhe policia ndaj atyre incidenteve”. Peterle tha se “kjo ngre pyetje rreth besueshmërisë së procesit demokratik në këto zona”.

Dita e zgjedhjeve ishte e qetë dhe nuk u vërejt ndonjë incident i theksuar nga EU EOM, përfshirë edhe në veriun e Kosovës. Votimi në përgjithësi u vlerësua pozitivisht. Megjithatë, vëzhguesit vërejtën raste të shpeshta të votimit familjar, raste të ndihmës abuzive të votuesve, dhe pranisë së tepërt të vëzhguesve nga dy subjekte politike duke e shkelur ligjin. Procedurat e numërimit të votave nuk u përfillën gjithmonë, duke nënvizuar nevojën për trajnim më të mirë të stafit zgjedhor.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) u konsiderua nga EU EOM të jetë politikisht përfshirës, që kryesisht vepron në mënyrë transparente, dhe që ka bërë përpjekje të zhvillojë një proces transparent dhe të mirëfilltë.

Igor Šoltes, udhëheqës i delegacionit nga Parlamenti Evropian, i inkurajoi autoritetet kosovare që të veprojnë në adresimin e mangësive të identifikuara: “Ka pasur rekomandime të qarta lidhur me periudhën e nevojshme kohore për përgatitjen e zgjedhjeve.

“Për vendimin për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme brenda afatit më të shkurtër të mundshëm. Pasojat e kësaj zgjedhjeje janë të dukshme, nga cilësia e listave të votuesve, te mundësia për votuesit jashtë Kosovës që të votojnë ose te gatishmëria e organeve për menaxhimin e zgjedhjeve”, tha Šoltes.

Në ditën e zgjedhjeve, EU EOM ka shpërndarë rreth 100 vëzhgues gjithandej Kosovës nga shtetet anëtare të BE-së, si dhe nga Norvegjia dhe Zvicra.

EU EOM do të mbetet në Kosovë për të përcjellë procesin në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve dhe zgjidhjen e të gjitha ankesave dhe parashtresave, deri në shpalljen e rezultateve përfundimtare.

Misioni Vëzhgues i BE-së: Shqetësuese, mospastrimi i listave nga personat e vdekur

Misioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian për zgjedhjet parlamentare 2017 në Kosovë ka mbajtur konferencë për media.

Ata kanë vlerësuar se zgjedhjet ishin konkurruese dhe të qeta në pjesën më të madhe të Kosovës, por kërkohet vullnet politik për adresimin e dobësive të vjetra dhe frikësimit në rajonet e banuara me serb të Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Kryesuesi i vëzhguesve të misionit të BE, Alojz Peterle, prezantoi gjetjet preliminare të misionit vëzhgues të procesit zgjedhor në Kosovë.

Ai ka theksuar se të dielën populli i Kosovës doli në vendvotime, ndërsa procesi është ende në numërimin e fletëvotimeve. Ai tha se do të vazhdojnë të ndjekin procesin derisa të shpallen rezultatet.

“Këto zgjedhje ishin konkurrente dhe paqësore në tërë Kosovën. Zgjedhjet u ndikuan nga problemet e kamotshme që janë fletëvotimet, si dhe problemet për mundësinë e votimit nga jashtë shteti. Votimi në përgjithësi u vlerësua pozitivisht, por vëzhguesit kanë vërejtur vëzhgues të tepërt të dy partive politike si dhe votimi familjar”, ka thënë ai.

“Këto zgjedhje u mbajtën në një kohë shumë të shkurtër duke ndikuar në procesin. Shumica e partive politike janë rigrupuar në moment të fundit në koalicione dhe kjo është si pasojë e Gjykatës Kushtetuese për mundësinë që vetëm subjekti që garanton më shumë ulëse mund të bëjë qeverinë”, tha ai.

KQZ-ja është një organ gjithëpërfshirës dhe ka bërë përpjekje për të marrë vendime në konsensus, megjithatë ka pasur vonesa në informimin e votuese.

“Prezenca e personave të ndjerë në lista vazhdon të jetë shqetësuese. Procesi i votimit nga jashtë që është afër gjysmë milioni dhe vetëm një pjesë e vogël kanë pasur mundësinë për të votuar dhe në këtë mënyrë procesi i votimit të tyre ka dështuar”, ka thënë Peterle.

Sipas tij, disa nga problemet që theksohen janë dobësi të kamotshme. Ai ka theksuar se do të kthehen në Kosovë pas dy tre muajsh me një raport rreth këtij procesi zgjedhor.

“Një fakt shumë i rëndësishëm është se Kosova mund të bashkëpunojë me komisionin, gjë që do të jetë shumë e dobishme kur Kosova do të bëjë reformën në legjislacionin zgjedhor. Sa i përket fletëvotimeve të pavlefshme dhe ne duam të dimë se përse pati kaq shumë fletëvotime të pavlefshme, por në këtë fazë procesi s’ka marrë fund. Do të jemi më të përpiktë në raportin tonë ku do t’i kemi edhe rekomandimet”, tha ai.

Ndërsa Igor Soltez nga ky mision vëzhgues tha se misioni në 2014 listoi një varg rekomandimesh për të përmirësuar procesin zgjedhor. Ai shtoi se duhet pranuar që ka mundur të bëhet më shumë në zbatimin e këtyre rekomandimeve.

Të ngjashme