Vitia – në luftë me pandeminë e sytë nga Prishtina

Prishtinë | 23 Gus 2021 | 20:47 | Nga Ekonomia Online

Qytetarët dhe shoqëria civile, janë duke e kritikuar ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, i cili tashmë ka shpallur kandidaturën për kryetar të Prishtinës për zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

Sipas tyre, Vitia nuk duhet të largohet nga ministria në kohën kur në Kosovë numrat e të infektuarve nga COVID-19 po rriten çdo ditë.

Mara Çeta nga Gjakova thotë se është e kënaqur me punën e Arben Vitisë si ministër.

Çeta, 71-vjeçare, thotë se ai nuk duhet ta lë në gjysmë këtë punë, që ajo e cilëson të mirë.

“Ai duhet të jetë ministër sepse ka qenë deri tash. Ai e ka pasur vendimin për ministër të Shëndetësisë e jo për të kandiduar për kryetar komune. Duhet të qëndrojë derisa të kryhet pandemia, atëherë herën tjetër le të kandidojë. Mua më është dukur që ka shërbyer mirë”, thotë ajo.

Mirëpo Nevzad Fushtica nga Prishtina dhe Mustafë Mustafa nga Vushtrria, nuk e vlerësojnë punën e ministrit Arben Vitia. Sipas tyre, Vitia ka dështuar që të mbrojë qytetarët nga COVID-19.

“Për mua zero. Këqyri sa infektimet”, thotë Fushtica.

“Ai është dashur të japë dorëheqje nga pozita e ministrit të Shëndetësisë në momentin kur ka menduar t’i futet garës për kryetar të Prishtinës. Është dashur të japë dorëheqje”, thotë Mustafa.

OL: Ikje nga përgjegjësia

Kandidimi i ministrit, Arben Vitia për kryetar të Prishtinës ligjërisht nuk ka ndonjë pengesë. Ai mund të mbajë pozitën e ministrit deri në certifikimin e zgjedhjeve të 17 tetorit, dhe në rast se bëhet kryetar i kryeqytetit, atëherë duhet ta lirojë pozitën e ministrit.

Mirëpo, Mexhide Demolli-Nimani, drejtoreshë në organizatën joqeveritare FOL, thotë se ministri Vitia nuk duhet të largohet nga Ministria e Shëndetësisë, në kohën kur numrat e të infektuarve janë në rritje.

“Vërtetë nuk është etike një gjë e tillë, sidomos në këtë kohë kur situata me pandeminë nuk po menaxhohet si duhet dhe kemi rritje rekorde të numrit të të infektuarave, fatkeqësisht edhe të të vdekurve, numri është mjaft i lartë. Kjo, në këtë rast, më duket si ikje nga përgjegjësia si ministër i Shëndetësisë”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.

Të ngjashme