Vitia takohet me Osmanin, merr mbështetje për luftën me pandeminë

Prishtinë | 06 Pri 2020 | 14:26 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Shëndetësisë i Republikës Arben Vitia bashkë me zëvendësministrat Sreten Trajkoviq dhe Izet Sadikun pritën në takim kryetaren e Kuvendit Vjosa Osmani dhe nënkryetaren Arbërie Nagavci.

Në këtë takim u diskutua për rëndësinë e koordinimit ndërinstitucional për menaxhimin e situatës me Covid-19.

Kryeparlamentarja falënderoi ministrin Vitia dhe të gjitha institucionet e përfshira në parandalimin e përhapjes së pandemisë.

Sipas saj, masat e ndërmarra në kohë kanë ndikuar që sot në Kosovë të kemi një situatë më të mirë krahasuar me shtetet e rajonit.

Osmani tha se Kuvendi i Kosovës mbetet i përkushtuar që të bashkëpunojë ngusht përballë këtij “armiku të padukshëm” i cili nuk njeh as ndarje politike dhe as etnike.

Vitia i falënderoi Osmanin dhe Nagavcin për gatishmërinë e treguar, si dhe i njoftoi për së afërmi me Planin e Veprimit përmes së cilit do të operojnë institucionet e vendit.

Në këtë takim u ripërsërit qëndrimi se respektimi i masave parandaluese nga qytetarët është jetik në parandalimin e përhapjes së pandemisë.

Ndër të tjera u disktua edhe për harmonizimin e veprimeve në raport me adresimin e çështjeve nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme