Vizita e Maas, Vasolli: Gjermania e pranon se Kosova ka përmbushur kriteret për vizat

Prishtinë | 22 Pri 2021 | 19:00 | Nga Ekonomia Online

Eksperti i integrimeve evropiane, Besnik Vasolli, ka thënë se vizita e Ministrit të Jashtëm të Gjermanisë, Heiko Maas, është shumë e rëndësishme dhe se nuk ka ndodhur shpesh.

Ai në Info Magazine ka theksuar se Gjermania e ka konfirmuar se është kundër ndryshimit të kufijve të Kosovës.

“Vizita vjen në kohën e duhur ,pasi që u përhapën disa “nonpapers” ose dokumente jo shumë publike, të cilat diskutonin për një rimodelim të kufijve të Ballkanit Perëndimor. Mendoj që një ndër qëllimet e vizitës së Maas është që Gjermania ta konfirmojë edhe një herë që janë kundër ndryshimit të kufijve. Këtë e kanë thënë shumë herë, kanë vazhduar t’i qëndrojnë besnik atij pozicioni, edhe sot e dëgjuam që janë kundër ndryshimit të kufijve”.

Vasolli ka deklaruar se Maas sa i përket dialogut Kosovë-Serbi ka thënë se duhet të ketë kompromis nga të dyja palët. Ai ka shtuar se Prishtina duhet të ketë një konsensus të madh që të jetë sa më e fortë për negociatat që pritet të vijnë në vazhdim.

“Sa i përket dialogut, ajo çfarë kam mundur të kuptojë është se Gjermania e konfirmon që qëllimi i dialogut është të shpije deri tek njohja. ‘Pritet në fund të ketë njohje’, kjo i bije që Gjermania nga Serbia është duke kërkuar njohjen e Kosovës”.

“Maas tha se nga të dyja palët pritet kompromis, ai nuk është i definuar ende aq shumë. Mirëpo, çfarë kompromisi duhet të bëjnë shtetet duhet ta shohim në të ardhmen. Ajo që është evident, është se institucionet tona janë në pozitë të vështirë, sepse duan ta arrijnë njohjen nga Serbia. Por, siç duket do të jetë e pamundur pa një kompromis, për ta arritur këtë kompromis mendoj se ne si palë duhet të kemi një konsensus gjithë-partiak dhe të shoqërisë civile, pra duhet të ketë konsensus të madh që të jemi sa më të fortë në negociatat që pritet të vijnë”.

Eksperti i integrimeve evropiane ka pohuar se është lajm në vete deklarata e Maas, në të cilën thotë se Kosova i ka përmbushur kriteret për liberalizim të vizave.

“Mendoj që është lajm në vete, duhet t’i japim më shumë vëmendje. Është hera e parë që një zyrtar kaq i lartë i Gjermanisë e pranon që Kosova i ka përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave. Marrim mbështetje nga një shtet kaq i rëndësishëm dhe vendimmarrës në Bashkimin Evropian. Kjo e konfirmon se faktikisht Franca është vetmja që ka mbetur për t’u bind. Tani do të ketë zgjedhje në Francë dhe aty do të jetë një momentum ku do të shohim se si edhe ne do të duhet të pozicionohemi”, ka thënë Vasolli.

Të ngjashme