Vjosa Osmani: Dialogu nuk do të jetë prioritet numër një i Qeverisë

Prishtinë | 15 Mar 2021 | 10:11 | Nga Ekonomia Online

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se dialogu Kosovë – Serbi nuk do të jetë prioriteti numër një i Qeverisë së ardhshme të Kosovës.

Por, ajo thotë se do të jetë në fokus të Qeverisë dhe se ky proces duhet të përfundohet me njohje të ndërsjellë dhe me respektim të integritetit territorial të Kosovës dhe rendit kushtetues.

“Për një kohë të gjatë, problemet ditore dhe më akute të qytetarëve të Kosovës janë lënë anash, ndërsa liderët e kaluar të Kosovës janë fshehur prapa temës së dialogut duke i maskuar dështimet brenda vendit. Nuk duhet të lejojmë që kjo të ndodhë sërish. Qytetarët tanë kanë nevojë për drejtësi e punë, dhe është detyrë e jona t’u ofrojmë këtë. Dialogu me Serbinë, sigurisht, po ashtu do të jetë fokusi ynë dhe do të sigurohemi që shteti ynë të tregojë gatishmërinë për t’u angazhuar në mënyrë konstruktive në këtë proces të rëndësishëm. Procesi duhet të konkludohet me njohje të ndërsjellë dhe me respektim të integritetit territorial të Kosovës dhe rendin kushtetues”, ka thënë Osmani në një intervistë për “Faces of Democracy”.

Osmani thotë se Kosova është me fat që gjithmonë ka pasur përkrahjen bipartizane të SHBA-së dhe beson se presidenti i ri i SHBA-së, Joe Biden, do të angazhohet me çështjet me të cilat Kosova përballet sot.

“Republika jonë e re gjithmonë ka qenë shumë e privilegjuar të ketë përkrahjen bipartizane të SHBA-së. Por, nuk është befasi që njerëzit tanë janë të lumtur të shohin presidentin Biden në Shtëpinë e Bardhë, përkrah zëvendës-presidentes Harris. Presidenti Biden ka qenë zëri ynë kur nuk kishim zë gjatë viteve 1990-ta dhe ka qenë përkrahës i madh i pavarësisë sonë dhe tentimeve tona për forcim të shtetësisë. Jam e bindur se ai do të angazhohet me çështjet me të cilat përballet Kosova sot”, ka thënë Osmani.

Osmani, që garoi në zgjedhjet e 14 shkurtit me një listë të përbashkët me Lëvizjen Vetëvendosje, ka thënë se pa pasur drejtësi për viktimat e luftës në Kosovë nuk mund të ketë një paqe e pajtim të qëndrueshëm.

Ajo është pyetur për deklarimet e Vasfije Krasniqi Goodmanit, që ka thënë se viktimat e luftës në Kosovë janë të zhgënjyera nga sistemi ndërkombëtar i drejtësisë.

“Unë pajtohem me Vasfijen. Sistemi i drejtësisë, si në nivel vendor ashtu edhe ndërkombëtar, ka dështuar karshi viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Drejtësia për viktimat tona të luftës është parakusht për një paqe dhe pajtim të qëndrueshëm. Unë besoj se llogaridhënia qëndron fort në pragun e derës së Serbisë. Derisa Qeveria serbe të mos përballet me të kaluarën e saj dhe realitetin e saj, ne nuk mund të kemi drejtësi nëpërmjet ndonjë sistemi. Është koha që udhëheqësia e Serbisë të largohet nga mentaliteti i Millosheviqit dhe të ndalojë së mohuari krimet e kryera në Kosovë apo në vendet tjera në Jugosllavinë e dikurshme”, ka thënë Osmani.

Ajo ka shtuar se do të punojë me institucionet ndërkombëtare dhe aleatët për të siguruar vaksina anti-COVID, ndërsa ka treguar se pandemia ka pasur ndikim të rëndë në sistemin shëndetësor dhe ekonomi në Kosovë, siç ka pasur edhe nëpër botë.

Sa i përket se ku e sheh Kosovën në të ardhmen, Osmani, ka thënë se synimi është ta shoh atë si një shtet plotësisht funksional, pa korrupsion dhe me një demokraci vibruese. E po ashtu shtet që njihet nga gjitha këndet e botës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme