Vjosa Osmani do që të krijojë iniciativë të re, thotë se nuk do t’i bashkohet asnjë partie

Prishtinë | 08 Sht 2020 | 20:41 | Nga Ekonomia Online

Ish-nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se po i shqyrton të gjitha mundësitë për të ardhmen e saj në politikë.

“Ma kanë mbyllur derën dhe kanë zgjedhur rrugë tjetër”, ka deklaruar ajo, teksa ka folur për LDK’në e Isa Mustafës.

Megjithatë, Osmani ka hedhur poshtë mundësinë që t’i bashkohet një partie tjetër politike në Kosovë.

“Jemi duke i shqyrtuar mundësitë. Natyrisht jo që të aderoj në një parti tjetër”, ka deklaruar ajo në Kanal10, të martën.

Osmani ka thënë se po mendon për krijimin e një “iniciative të re”.

Sipas saj, “njerëz profesionistë, me integritet, do të mund të bashkoheshin për t’i dhënë qytetarëve një mundësi për të ecur përpara”.

Osmani ka thënë se mund të bëhet një “bashkim forcash i njerëzve profesionistë me integritet të lartë që ta ndihmonin vendin të kapërcente” sfidat.

Të ngjashme