Vjosa Osmani: Me referendum gjithëpopullor ta çojmë PDK-në në opozitë të gjatë

Prishtinë | 02 Tet 2019 | 16:34 | Nga Ekonomia Online

Kandidatja për kryeministre nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka ftuar simpatizantët e saj që me referendum gjithëpopullor, ta dërgojnë Partinë Demokratike të Kosovës në opozitë për një kohë të gjatë.

Ajo gjatë një fjalimi në Fushë Kosovë ka thënë se njerëzit e LDK-së nuk mund të kërcënohen sepse sipas saj, ata i kanë duart e pastra.

“Fushë Kosova asnjëherë nuk e ka humbur besimin në Lidhjen Demokratike të Kosovës. Kësaj radhe ky besim do të jetë shumë më i madh sepse ju jeni garancia e fitores sonë me 6 tetor”.

“Fitore e cila do t’i ndalë keqbërësit dhe të korruptuarit të cilët janë të gatshëm të keqpërdorin edhe miqësinë e shenjtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për synimet e tyre të mbrapshta politike”.

“Por, LDK nuk do t’i lejojë – atyre iu ka ardhur fundi për shkak se nuk ka kush e ndalë më këtë vullnet të qytetarëve të Kosovës për fitoren tonë”.

“Sot njerëzit që keqpërdorën besimin tuaj, po ua dëshmojnë se kush janë dhe çfarë janë në gjendje të bëjnë”.

“E gjejnë një kompani marketingu, nënshkruajnë marrëveshje me të gjoja se për të lobuar për Kosovën, por i shfrytëzojnë për t’i gënjyer qytetarët e Kosovës. Me paratë tuaja po mundohen të ju gënjejnë juve; prandaj mos iu besoni asnjërit nga ta”.

“Unë dua t’ju siguroj se ne jemi të bashkuar sikur në kohën e presidentit Ibrahim Rugova dhe jemi të vendosur si kurrë më parë për t’ia kthyer Kosovën qytetarëve të saj – në të cilën ata duan të jetojnë të lirë nga sajuesit e lajmeve të rreme të cilëve askush më nuk iu beson”.

“Ne në LDK as nuk kërcënohemi dhe as shantazhohemi sepse askush nuk mundet t’i kontrollojë njerëzit me duar të pastra”.

“Neve na duhet nga 6 tetori,  që me referendum gjithë-popullor ta çojmë PDK-në në opozitë të gjatë”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme