Vjosa Osmani nga Turqia, kërkon liberalizim të vizave për kosovarët

Prishtinë | 18 Qer 2021 | 10:11 | Nga Ekonomia Online

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është duke qëndruar në Turqi ku po merr pjesë në samitin vjetor të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP), raporton Gazeta Express.

Në profilin e saj në Facebook, Osmani ka publikuar një pjesë të fjalimit para përfaqësuesve të vendeve anëtarë të këtij forumi.

“Me ftesë të nikoqirit të sivjetëm, Presidentit të Republikës së Turqisë, z.Erdogan, po marr pjesë në samitin vjetor të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP). Në fjalimin tim para përfaqësuesve të vendeve anëtarë të këtij forumi, kam folur mbi sfidat e rajonit, procesin e integrimit në BE, si dhe mbi mundësitë e bashkëpunimit rajonal. Ndër të tjera, kam theksuar se bashkëpunimi rajonal është i domosdoshëm, por edhe i mundur, nëse mbështetet në njohjen dhe respektimin e njëri-tjetrit”, tha presidentja e shtetit.

Tutje, Osmani ka thënë se iu ka bërë thirrje vendeve që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ta bëjnë një gjë të tillë sa më parë.

“Prandaj u bëra edhe një herë thirrje vendeve të cilat nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës që ta njohin sa më parë atë, ngase ai është realitet i pakthyeshëm, si dhe ta respektojnë në plotni sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit tonë. Integrimi euroatlantik nuk përbën vetëm një alternativë për ne, ai parqet rrugën e vetme përpara. Por, përkushtimi ynë ndaj integrimeve duhet të njihet nga Bashkimi Europian”, ka shkruar Osmani, duke thënë se ka kërkuar gjithashtu liberalizimin e vizave për kosovarët.

“Sic po lëvizim ne me shpejtësi drejt integrimit të vendit tonë, duke i përmbushur të gjitha kërkesat e parashtruara ndaj nesh, edhe Bashkimi Europian duhet ta vlerësojë angazhimin e qytetarëve të Kosovës dhe ta mbajë premtimin për liberalizim të vizave.  Sot ndërkaq fillon Antalya Diplomatic Forum, ku së bashku me Presidentë, Kryeministra e Ministra nga shumë vende të botës do të diskutojmë një sërë temash, nga sfidat e pandemisë e deri te sfidat e qeverisjes globale”, ka shkruar Osmani.

Të ngjashme