Vjosa Osmani premton toka për Manastir të Deçanit, për të siguruar ftesë në Samitin Amerikan

Prishtinë | 13 Nën 2021 | 17:54 | Nga Ekonomia Online

Dje gjatë ditës u raportua se SHBA kishin vendosur të ftonin Kosovën në Samitin e Demokracisë që organizohet nga presidenti amerikan, Joe Biden, pasi në fillim u raportua një injorim total ndaj qeverisë aktuale me mosftesën.

Edhe pse ende nuk është konfirmuar plotësisht ftesa e Kosovës, as nga qeveria e nga institucionet tjera, burimet thanë se Kosova e Serbia ishin vendosur të ftohen.

Burime të Gazeta Metro brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme, kanë treguar se në mënyrë që Kosova të sigurojë këtë ftesë atëherë u janë paraqitur disa kërkesa me kusht që të realizohen në të ardhmen.

E sipas këtyre burimeve, presidentja e vendit Vjosa Osmani ishte zotuar që të jetësohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Mnasatirin e Deçanit.

Zbatimi i këtij vendimi ishte kërkuar specifikisht nga SHBA, por edhe vendet tjera aleate bashkë me ambasadorët e tyre kishin kërkuar që të zbatohej.

Para 4 vitesh, Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte marrë vendim, sipas të cilit i njihet e drejta e pronësisë Manastirit të Deçanit mbi 24 hektarë tokë. Por, ky vendim nuk është zbatuar asnjëherë nga ana e kësaj komune.

Banorët e Deçanit dhe zyrtarët komunalë patën zhvilluar disa protesta në vitin 2013, duke thënë se manastiri është objekt kulti i shqiptarëve e jo i serbëve.

E se kjo do jetësohej, Osmani i kishte premtuar edhe nënsekretares amerikane të shtetit, Victoria Nuland, kur ishin takuar para dy ditësh.

Osmani, pas takimit përmes një postimi kishte falënderuar Nuland duke thënë se ishte një takim mjaft produkt, dhe se Kosova nuk ka aleat më të madh se Amerika.

“Një takim mjaft produktiv me Nënsekretaren e Shtetit, Victoria Nuland për të riafirmuar angazhimin afatgjatë të dy vendeve tona ndaj partneritetit dhe vlerave të përbashkëta. Kosova nuk ka aleat më të madh se SHBA-ja dhe unë mezi pres të punoj së bashku për siguruar që ne edhe më tej të kontribojmë për paqe dhe demokraci”, ka shkruar Osmani.

Të ngjashme