Vllasi: Ky është hapi më i madh i Serbisë që nga viti 1989

Prishtinë | 29 Kor 2017 | 13:49 | Nga

Presidenti serb, Aleksandar Vucic pak ditë më parë publikoi një shkrim autorial, ku shfaqi qëndrime të cilat nga shumë u panë si një kthesë e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, si dhe një gatishmëri e palës serbe që 18 vite pas luftës të pajtohet me realitetin e pavarësisë së Kosovës.

Këtë shkrim e ka komentuar edhe avokati i njohur Azem Vllasi, ai ka thënë se presidenti serb Aleksandar Vucic ka bërë një hap të rëndësishëm drejt braktisjes së “idesë së gabuar” të Serbisë për Kosovën.

Vllasi poashtu ka vlerësuar se ka qenë koha e fundit që të arrihet një “marrëveshje historike”, raporton Kurir, përcjell Gazeta Metro.

“Që kur regjimi i Milloshevicit e krijoi krizën në Kosovë nga marrja e dhunshme e autonomisë së Kosovës në vitin 1989 dhe e shtyu publikun serb drejt një mendimi të gabuar për Kosovën, Aleksandar Vucic përmes një shkrimi autorial të botuar kohët e fundit ka bërë një hap tejet të rëndësishëm drejt braktisjes së këtij gabimi”, u shpreh Vllasi.

Avokati Vllasi ka vlerësuar se Vucic-i ka thënë diçka që, sipas tij, publiku serb “e di që prej vitit 1999 se Kosova ka qenë krejtësisht e pavarur nga Serbia, pa asnjë mundësi të kthejë prapa rrotën e historisë”.

Kurse, qëllimi i dialogut të brendshëm serb të nisur nga Vucici, është siç Vllasi u shpreh, një “kthim historik” në lidhje me Kosovën në vend të “përjetimi i mitit se nuk e japim Kosovën”.

Ai ka thënë poashtu se kjo është edhe koha e fundit që një marrëveshje historike të bëhet mes të dy palëve, “me kufijtë ekzistues dhe me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike dhe atyre të mira fqinjësore”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme