Vllasi: Nuk ka demokraci në Vetëvendosje, përderisa ka vetëm një kandidat

Prishtinë | 13 Jan 2018 | 08:55 | Nga

Tanimë ka përfunduar afati për dorëzimin e kandidatëve për zgjedhjet e brendshme në Lëvizjen Vetëvendosje.

Në këto zgjedhje kandidat i vetëm do të jetë Albin Kurti, i cili ka udhëhequr me VV-në edhe për dy mandate të kaluara, shkruan Indeksonline.

Por të pasurit vetëm një kandidat, sipas analistëve politik nuk tregon demokraci.

Azem Vllasi, në një prononcim për Indeksonline ka thënë se edhe Vetëvendosje po e vërteton “rregullin” se themeluesi i partisë duhet të jetë gjithmonë në krye të atij subjekti.

“Në një parti ku gjatë zgjedhjeve nuk ka më shumë se një kandidat, aty nuk ka aspak demokraci. Kur e pat lshu vendin Kurti e erdhi në krye Visar Ymeri dukej se Kurti është i prirur për të pru një demokraci në Vetëvendosje, por me faktin se po don me u kthy në të njëjtin vend, po e vërteton atë në Kosovë është bërë si rregull, që secili themelues i një partie duhet të jetë gjithmonë në krye të saj”, tha Vllasi.

Sipas tij, VV po ndahet në dysh dhe Kurti do të jetë kryetar vetëm i gjysmës së tyre.

“Vetëvendosja është duke kaluar nëpër disa procese problematike të brendshme ashtu që s’di sa është mirë që në këtë moment të ketë zgjedhje me vetëm një kandidat. Kjo tregon se Vetëvendosje më nuk është ashiqare ajo që ka qenë deri më tash. Ajo po ndahet në dysh dhe Albin Kurti do të zgjidhet kryetar i gjysmës së saj. Vetëvendosje nuk ka vdekur por definitivisht po ndodhin disa procese të brendshme të cilat mo nuk lënë asnjë shancë që të kthehet ajo që ka qenë deri tash”, shtoi Vllasi.

Edhe analisti Belul Beqaj ndanë të njëjtin mendim. Sipas tij, as kjo parti nuk dallon nga partitë tjera lideriste.

Ai madje thotë se ka besuar se Kurti në këtë gjendje në të cilën janë tani, do e kalonte duke insistuar në kundër kandidatë.

“Kandidatura pa kundër kandidat është dëshmi se edhe kjo parti nuk dallon shumë sa i përket natyrës së partive lideriste. VV është dashur të kapërcej edhe këtë sëmundje për të shërbyer si shembull i respektimit të konkurrencës së mirëfilltë ngase asnjë parti nuk është serioze,sipas mendimit tim, nëse brenda saj nuk ka së paku edhe një kundër kandidatë”, u shpreh Beqaj.

Por, Beqaj thekson se Vetëvendosja pas kësaj “sëmundje” do të mbetet faktor shumë i rëndësishëm në jetën politike në vend.

“Vetëvendosja do të transformohet,do të shërohet nga sëmundjet e fëmijërisë …dhe do të mbetet faktor shumë i rëndësishëm e jetës politike në Kosovë”, ka përfunduar Beqaj.

Zgjedhjet e brendshme të Vetëvendosjes do të mbahen me 21 janar, ndërkaq shumë anëtarë të saj kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e deritashme.

Të ngjashme