Von Cramon i kërkon BE-së ta mbajë fjalën për liberalizimin e vizave për kosovarët

Prishtinë | 10 Dhj 2020 | 13:25 | Nga Ekonomia Online

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, ka kërkuar nga BE-ja që të mbajë fjalën e saj për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Ajo duke komentuar raportin për Kosovën në Komisionin për Punë të Jashtme të PE-së, ka kërkuar që të jepet drita e gjelbër për heqjen e vizave.

Cramoni, ka shtuar se njerëzit në Kosovë janë me të drejtë të frustruar për shkak të zvarritjes së këtij procesi.

“Qytetarët e Kosovës duhet të kenë qasje të njëjtë në Zonën Schengen pa viza, kjo çështje është në Këshillin e BE-së për dy vjet tani. Njerëzit në Kosovë janë të frustruar me të drejtë, prandaj kërkoj nga Këshilli i Bashkimit Evropian që të japë një sinjal, afat kohor të qartë dhe të japë dritën e gjelbër lidhur me këtë vendim sa më shpejt që është e mundur. Kjo ka të bëjë me mbajtjen e premtimit tonë në rajon”, ka thënë Cramon në fjalimin e saj.

Presidenca e Këshillit të Bashkimit Evropian që aktualisht udhëhiqet nga Gjermania, nuk ka futur në agjendë liberalizimin e vizave për Kosovën.

Të ngjashme