Von Cramon: Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim, jemi 4 vite me vonesë

Mitrovicë e Jugut | 04 Mar 2022 | 16:45 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Eurodeputetja dhe raportuesja e përhershme për Kosovën, Viola von Cramon-Taubadel, e cila ndodhet në një vizitë “fakt-mbledhëse” në Kosovë, ka thënë se ajo njihet si avokuesja më e madhe për liberalizimin e vizave për kosovarët.

“Shpresoj që në do të shohim në lehtësimin dhe hapjen e këtij procesi. Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim dhe jemi 4 vite me vonesë”, tha ajo, në një konferencë për shtyp, të mbajtur në Mitrovicën e Jugut.

Von Cramon shprehet optimiste se do të shohim ri-hapjen e procesit pas zgjedhjeve në Francë, që mbahen në prill. Ajo tha se nuk është krejt çështja te Parlamenti Evropian. “E di që shumica e shteteve kryesore e mbështesin liberalizimin, por na duhet një mbështetje unanime”, tha ajo.

Në maj 20216, Komisioni Evropian i kishte propozuar Këshillit të BE-së dhe Parlamentit Evropian heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës duke e transferuar Kosovën në listën e vendeve pa viza për qëndrim afatshkurtër në zonën Shengen.

Propozimi ishte bërë së bashku me vlerësimin pozitiv të Komisionit që konfirmon se Kosova ka përmbushur kriteret e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave.

Propozimi ishte votuar edhe në Parlamentin Evropian, porse vendimi final ka mbetur te Këshilli i Ministrave të BE-së.

Von Cramon “bojkotohet” nga përfaqësuesit serbë në Qeveri dhe kryetari i Mitrovicë së Veriut

Raportuesja e përhershme për Kosovën, gjatë vizitës në Kosovë, ka takuar kryeministrin Albin Kurti dhe zyrtarë të tjerë të institucioneve të Kosovës, por nuk është pritur edhe nga përfaqësuesit serbë në Qeveri, dhe as kryetari i Komunës së Mitrovicë së Veriut.

Von Cramon ka shprehur keqardhjen që nuk është pritur nga politikanët serbë të Kosovës, por tha se ka pasur diskutime të dobishme me shoqërinë civile.

“Jam takuar me përfaqësues serbë, por jo me kryetarin dhe jo me përfaqësuesit serbë në Qeveri. Ata e kanë refuzuar kërkesën tonë për t’u takuar. Më vjen keq për këtë situatë. Me shoqërinë civile ka qenë një takim i dobishëm dhe kemi pasur një pasqyrë të plotë, si është gjendja në veri”, tha ajo.

Cramon nuk tregoi qëndrimin e saj nëse në Kosovë duhet të lejohet mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë, të cilat mbahen në prill.

“Për zgjedhjet, ne kemi biseduar rreth kësaj, dhe është interesi i BE-së për të gjetur zgjidhje për të gjithë, nuk mund të futem në detaje, ne duam që njerëzit të votojnë, për çdo gjë tjetër nuk mund të deklarohem”, tha ajo.

Von Cramon është pyetur edhe për vazhdimin e bllokadës së urës së Ibrit, megjithëse për lëvizjen e lirë ishin marrë vesh në Bruksel Kosova dhe Serbia. “Mendoj se iu takon dy palëve për ta gjetur një marrëveshje, dhe për njerëzit që jetojnë këtu ta kenë infrastrukturën”.

Ajo kërkoi që palët të gjejnë zgjidhje dhe të punojnë për zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara.

Të ngjashme