Von Cramon nga Beogradi kritikon ashpër Komisionin Evropian: Po i bën dhuratë Vuçiqit para zgjedhjeve

Prishtinë | 28 Tet 2021 | 15:39 | Nga Ekonomia Online

Eurodeputetja dhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon tha sot në Beograd se raporti i Komisionit Evropian (KE) për përparimin e Serbisë në procesin e anëtarësimit përmban shumë kritika, por se një ton pozitiv po përhapet sepse, siç tha, ka një tendencë për t’i “dhuruar diçka presidentit serb para zgjedhjeve”. Ajo vlerësoi se nuk është detyrë e KE-së ta bëjë këtë.

“Është nënshkruar nga komisioneri hungarez (Komisioneri Evropian për Zgjerim, Oliver Varhelyi) dhe siç thashë më herët, ka një tendencë për t’i dhënë diçka presidentit serb para zgjedhjeve, gjë që është normale dhe në rregull, por kjo nuk është punë e Komisionit”, u tha ajo gazetarëve dhe vlerësoi se raporti ka tutje shumë pika kritike.

“Nëse keni vërejtje kritike për situatën aktuale, si mund të keni më në fund një ide për hapjen e kapitujve. Ne duhet ta diskutojmë këtë në javët në vijim. Unë shoh shumë shenja skepticizmi te kolegët e mi në Parlament”, shtoi ajo.

Von Cramon tha se është i papranueshëm qëndrimi i autoriteteve serbe ndaj mediave që nuk janë në favor të qeverisë, por edhe ndaj kujtdo që ka qëndrim të ndryshëm.

Pak vende anëtare, tha ajo, janë të vetëdijshme për situatën në Ballkanin Perëndimor, andaj nuk ka interes për zgjerim.

“Nëse jemi më të pranishëm dhe nëse e dimë se çfarë po ndodh, mund ta kuptojmë më mirë, dhe nëse nuk jeni të interesuar, është normale të keni zhgënjim në vendet që duan të anëtarësohen sepse disa vende bëjnë përparim, por hudhen në të njëjtën shportë me disa që nuk bëjnë asnjë përparim. I gjithë rajoni shihet si i pashpresë”, tha ajo.

Duke iu përgjigjur pyetjes për arritjen e mundshme të marrëveshjes ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, ajo tha se zhvillimi i situatës në dialog varet ekskluzivisht nga Kosova dhe Serbia, por theksoi se nuk pret përparim në këtë çështje para zgjedhjeve në Serbi.

Të ngjashme