Von Cramon: Open Balkan nuk ofron barazi me shteteve

Prishtinë | 13 Mar 2022 | 20:46 | Nga Ekonomia Online

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian Viola Von Cramon, në një intervistë dhënë për Tëvë1, ka komentuar zhvillimet politike në Kosovë.

Eurodeputetja vlerëson se Qeveria Kurti është duke e luftuar seriozisht krimin dhe korrupsionin, ndërsa është shprehur e lumtur për mënyrën se si u mbajtën zgjedhjet e fundit lokale, që sipas saj Kosova dëshmoi nivel të lartë të demokracisë.

“Unë e shoh një Qeveri ambicioze, qe dëshiron të bëjë reforma të rëndësishme. Me sa e shoh kjo është Qeveria e parë që po e lufton seriozisht krimin dhe korrupsionin, dhe për mua këto janë hapa shumë të rëndësishëm për të ardhmen e vendit. Unë i kam përcjelle me fokus të madh zgjedhjet e fundit lokale, dhe mund të them se u organizuan në mënyrë fantastike, duke e dëshmuar edhe njëherë se ky vend është demokratik. Ndërkaq sugjerimi im për këtë Qeveri është që t’i japin rëndësi të gjitha grupeve shoqërore, e gjithashtu të tregojnë interes më të madh për pjesën veriore të vendit.

E sa i përket nismës “Open Balkan”, Viola Von Cramon vlerëson se nuk ka barazi mes shteteve, dhe se sipas saj ata që e kanë nisur këtë iniciativë kanë synime të përfitojnë më shumë se vendet e tjera.

“Iniciativa e OpenBalkan nuk me duket e drejtë për shkak se nuk shoh barazi mes shteteve të Ballkanit Perëndimor. Ata që e nisën këtë iniciativë kanë synime që të përfitojnë në kurriz të shteteve tjera dhe po kërkojnë vëmendje më të madhe. Për mua Procesi i Berlinit është i duhuri, për arsye se ka përkrahje nga pjesa më e madhe Bashkimit Evropian, dhe kornizat e bashkëpunimit rajonal mes vendeve të Ballkanit Perëndimor janë të qarta ”

Megjithatë, ajo shprehet e shqetësuar për situatën në rajon për shkak të zhvillimeve të fundit në Bosnje dhe Hercegovinë.

Mes tjerash Von Cramon, ka folur dhe për procesin e liberalizim të vizave për Kosovën. Ajo thotë se qytetarëve të Kosovës po u bëhet një padrejtësi e madhe, ndërsa për këtë çështje fajtor po e lë Presidentin Francez, Emmanuel Macron.

Të ngjashme