Von Cramon pas vizitës në Serbi: E konfirmova se partia e Vuçiqit sulmon çdo zë kritik

Prishtinë | 30 Tet 2021 | 11:41 | Nga Ekonomia Online

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon ka dhënë një intervistë për gazetën serbe “Danas” pas vizitës që ka pasur në Serbi. Eurodeputetja tha se pas vizitës ka konfirmuar se partia e Vuçiqit, SNS sulmon çdo zë kritik të tyre.

Deputetja gjermane e të gjelbërve, ka vizituar një fshat në Serbi dhe ka folur me banorët lokalë të cilët po e kundërshtojnë hapjen e një miniere të Litiumit.

Von Cramon u pyet lidhur me dokumentin e Komisionit Evropian i cili thotë se Presidenti Vuçiq ka premtuar përkrahje për projektin e minierës së Litiumit, ajo tha se ka qenë e mahnitur me atë që ka parë në Loznicë, vendi ku po tentohet të ndërtohet miniera.

“Komuniteti lokal është me të drejt i frikësuar dhe e kuptoj plotësisht rezistencën e tyre. Pres transparencë të plotë të të gjitha palëve dhe do t’i hetoj të gjitha pretendimet e përmenduar në dokumentin e Komisionit Evropian dhe takimin e presidentit Vuçiq me kompaninë Rio Tinto. Qytetarët duhet të informohen dhe të përfshihen në tërë procesin sepse direkt i prek ata dhe të drejtat e tyre”, tha Von Cramon.

Gjatë vizitës së Von Cramon në Serbi, një grup i simpatizantëve të presidentit Vuçiq kanë brohoritur para saj me fjalët “Kosova ëshë zemra e Serbisë” dhe “S’mund ta marrësh Kosovën nga ne”.

Të ngjashme