Me vota, jo me dhunë

Prishtinë | 01 Sht 2016 | 08:23 | Nga

Deputetët të vendosin për kufirin me Malin e Zi nëpërmjet votave në seancën e Kuvendit. Dhuna nuk është zgjidhje, porosisin ambasadorët.

“Vetëvendosja” ka paralajmëruar se do t’i përdorë të gjitha mjetet për të parandaluar ratifikimin e Demarkacionit, ndonëse nuk i ka bërë të ditura detajet për mënyrat e kundërshtimit.

Ndërsa, ambasadorët e vendeve të QUINT-it u kanë kërkuar partive politike që të zhvillohet seanca, por edhe protesta në frymë të hapur dhe t’i shmangen dhunës, shkruan ‘Zëri’.

Seanca e sotme pritet të përcillet me tensione dhe dhunë nga ana e protestuesve, të cilët janë ftuar nga Lëvizja “Vetëvendosje” për të kundërshtuar ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi.

Mirëpo, Policia e Kosovës ka ndërmarrë të gjitha masat që protesta të zhvillohet e qetë, por është përgatitur sa që t’u përgjigjet të gjitha skenarëve që mund të ndodhin.

Madje ambasadorët e SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë kanë thënë se Demarkacioni duhet të miratohet. Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie thotë se është në interesin e Kosovës që të ratifikohet Demarkacioni.

Ndërsa kundërshtimin e quan luftë për pushtet. “Unë shpresoj që do të ratifikohet pasi unë jam një optimist dhe mendoj se është e rëndësishme për Kosovën.

Unë gjithashtu mendoj se është e rëndësishme të kuptohet se Marrëveshja për Shënimin e Kufirit nuk është në fakt çështja më me rëndësi këtu.

Këtu në fakt bëhet fjalë për çështje pushteti. Prandaj, sido që të ndodhë, dështim apo miratim, sfida me të cilën përballet demokracia kosovare do të vazhdojë”, ka thënë Delawie në një intervistë për gazetën “Express”.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme