Votohet projektligji për deklarim të pasurisë, Konjufca ndryshe nga VV-ja – abstenon

Prishtinë | 14 Kor 2022 | 11:36 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në lexim të dytë Projektligji për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë dhe të dhuratave është votuar në Kuvend.

Ky projektligji morri 60 vota për dhe një abstenim nga kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

Konjufca tha se arsyeja pse ai ka abstenuar është se ai beson se procesi mund të kryhet përmes komisionit të Kuvendit.

“Pasi kam lexuar opinionet kam konstatuar që jam bërë garancë i dërgimit, është arsyeja pse kam abstenuar dhe do të abstenoj edhe sot dhe pres përfshirjen e opinioneve në lexim të dytë. Unë kam besim në komisionet e kuvendit. Tash qëndrimi juaj është që këto opinione janë aq shumë kritike dhe ky proces nuk mund të kryhet përmes komisionit. Unë mendoj që mund të kryhet përmes komisionit. Tani hyjmë në një betejë politike që nuk është dashtë dhe kjo është arsyeja pse do të abstenoj”, u shpreh ai.

Paraprakisht, kryeministri Albin Kurti tha se “jemi të gatshëm të vazhdojë procesi i konsultimeve me të gjitha partitë”.

“Është e domosdoshme që të kemi sa më shumë konsultime… Byroja Shtetërore dhe vettingu në sistemin e drejtësisë nuk janë e njëjta gjë”, tha ai.

Opozita kundërshtoi dhe kërkoi që ky projektligj, të cilin e konsiderojnë kundërkushtetues, të mos hedhet në votim.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku tha se kërkojnë gjithpërfshirje në reformën në sistemin e drejtësisë.

“Në qoftë se kryeministri vendos të shkojë pa konsultim, atëherë vazhdoni. Rruga e mbarë ju qoftë”, tha ai ndër tjerash, duke thënë se do të ndjekin rrugën institucionale.

“Propozimi im është që deri ta kemi një konkluzion për nismën tuaj për koordinim për procesin e vettingut, të mos votohet as ky projektligj. Besoj që pajtimi ishte që të kemi një pajtim”, tha ndërkaq shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi. Ai paralajmëroi edhe dërgimin e projektligjit në Gjykatën Kushtetuese.

Shefi i grupir parlamentar të PDK-së, tha se dje u takuan dhe u morën vesh për t’i trajtuar “në pako” çështjet e vettingut.

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, tha po ashtu se duhet të ketë dakordim që, siç tha, “nëse do të ketë ndryshime kushtetuese, të ketë konsensus”.

Ai tha se projektligji bie ndesh me Kushtetutën dhe se ai duhet të kthehet dhe të diskutohet.

Por ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe vërejtjet e opozitës mund të adresohen pas votimit të projektligjit në lexim të parë.

“E kemi diskutu edhe para opinionit të Venecias, edhe pas opinionit të Venecias. Qëndrimi i Qeverisë është që ky projektligj të vendoset në votim sot në parim, e pastaj të gjitha rekomandimet e Komisionit të Venecias të adresohen”, tha Haxhiu.

Deputetët gjithashtu kanë votuar për raportin vjetor të Performancës së Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2021, i cili gjithashtu është miratuar më 61 vota për.

Derisa janë votuar pikat e papërfunduara nga seancat e kaluara, është miratuar edhe Raporti vjetor i Agjencisë Kosovare të Privatizimit për vitin 2021.

Të ngjashme