Votohet Qeveria Kurti me 67 vota

Prishtinë | 22 Mar 2021 | 19:49 | Nga Kastriot Kokollari Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Me 67 vota për dhe 30 vota kundër është zgjedhur Qeveria e re në krye me Albin Kurtin, raporton Ekonomia Online.

Pas një debati që ka zgjatur më shumë se dy orë e gjysmë, deputetët e mazhorancës (Vetëvendosje dhe komunitetet joserbe) kanë votuar Albin Kurtin për kryeministër dhe kabinetin e tij, i cili do të ketë tre zv.kryeministra dhe 14 ministra.

Kjo është hera e dytë që Kurti do të drejtojë Qeverinë e Kosovës, pas mandatit të tij të parë, ku kishte qenë kryeministër fuqiplotë për 52 ditë.

Lëvizja Vetëvendosje ka arritur këtë herë që ta krijojë qeverinë e vetme, pasi ka fituar 50.28 për qind të votave në zgjedhjet e përgjithshme.

Qeveria Kurti 2 do të duket kështu:

  1. Albin Kurti – Kryeministër
  2. Besnik Bislimi – Zëvendëskryeministër i parë për Integrime evropiane, Zhvillim dhe Dialog;
  3. Donika Gërvalla – Zëvendëskryeministre e dytë dhe Ministre e Punëve të Jashtme;
  4. Emilia Rexhepi – Zëvendëskryeministre e tretë për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut;
  5. Hekuran Murati – Ministër i Financave, Punës dhe Transfereve
  6. Albulena Haxhiu – Ministre e Drejtësisë
  7. Arben Vitia – Ministër i Shëndetësisë
  8. Arbërie Nagavci – Ministre e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë
  9. Hajrullah Çeku – Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit
  10. Elbert Krasniqi – Ministër i Administrimit Lokal
  11. Liburn Aliu – Ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës
  12. Faton Peci – Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural
  13. Armend Mehaj – Ministër i Mbrojtjes
  14. Xhelal Sveçla – Ministër i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike
  15. Rozeta Hajdari – Ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë
  16. Artane Rizvanolli – Ministre e Ekonomisë
  17. Goran Rakiq – Ministër për Komunitete dhe Kthim
  18. Fikrim Damka – Ministër i Zhvillimit Rajonal

Nga punimet e seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit

Sot, Kuvendi i Republikës së Kosovës, pas konstituimit të Legjislaturës VIII, me kërkesën e 52 deputetëve mbajti seancë të jashtëzakonshme, me të vetmen pikë të rendit të ditës, zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Me 67 vota për, 30 kundër dhe me asnjë abstenim, Kuvendi i dha besimin qeverisë së re me kryeministër Albin Kurtin.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, fillimisht ftoi kandidatin për kryeministër, Albin Kurti, që para deputetëve të paraqes përbërjen e Qeverisë dhe një ekspoze të programit qeveritar.

Kurti, fjalimin e tij tha se Kuvendi është mbledhur për të jetësuar vullnetin e qytetarëve të shprehur me 14 shkurt, pasi që sipas tij, populli u përcaktua qartë dhe drejt për rrugën që duhet të shkoj vendi në katër vitet e ardhshme.

Ai tha se pandemia mbetet sfida kryesore mbi të cilën do të vendoset kontroll, duke marrë masa që çojnë drejt uljes së rasteve të reja dhe eleminimit të rasteve me vdekje. Për rrjedhojë, Kurti tha se brenda vitit synohet sigurimi i vaksinave për 60 përqind të popullsisë, për të filluar kështu kalimin gradual në normalitet.

Pastaj, ai listoi një sërë problemesh të tjera, që, sipas tij, kanë nevojë për ndërhyrje të menjëhershme, duke filluar me reformat në drejtësi, shëndetësi, arsim, ekonomi, bujqësi, sport, polici dhe disa fusha të tjera që ndikojnë direkt jetën e qytetarëve.

Kurti, qeverisjes së tij iu adresua si një rrugëtim i ri drejt progresit që do të ndikojë në zvogëlimin e pabarazive dhe të rritjes së mundësive për të gjithë.

Theks të veçantë në qeverisjen e tij, Kurti tha se do të jetë kujdesi ndaj mirëqenies së fëmijëve dhe fuqizimi i grave në tregun e punës.

“Ruajtja dhe rritja e numrit të punëmarrësve, sidomos grave dhe të rinjve, anëtarëve të komuniteteve joshumicë dhe familjeve me ndihmë sociale, bashkë me rritjen e respektimit të të drejtave të punëtorëve, janë prioritetet tona, jo vetëm në fazën e këndelljes nga pandemia, por edhe gjatë gjithë periudhës së qeverisjes sonë”, theksoi ndër të tjera Kurti.

Po ashtu, ai theksoi se në planin e tyre të veprimit, do të ngritet padi ndaj krimit dhe gjenocidit të Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, do të themelohet instituti për hulumtimin e krimeve të kryera gjatë luftës, do të fuqizohet departamenti për krime lufte brenda prokurorisë speciale, do të krijohet një njësi e vecantë në forenzikë që i verifikon shkencërisht faktet dhe dëshmitë e krimeve të luftës, si dhe do të miratohet një legjislacion i veçantë për mbrojtjen e identitetit dhe të dhënave të viktimave të krimeve në Kosovë.

Gjatë shpalosjes së ekspozes së tij, Kurti përmendi edhe çështjen e të pagjeturve, për të cilën tha se pa progres në këtë çështje jetike për Kosovën, nuk mund të bëhet asnjë lloj progresi tjetër.

Ai theksoi se në qeverisjen e tij, çështje me prioritet do të jetë edhe rritja e kapacitetit ushtarak dhe përgatitja e vazhdueshme për ta bërë Kosovën anëtare të kartës së Adriatikut.

Po ashtu, Kurti tha se aleanca me SHBA-të dhe bashkëpunimi transatlantik do të thellohet tutje dhe do të punohet që Kosova të bëhet pjesë e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian.

Në fund të fjalimit kryeministri Kurti, shpalosi kabinetin e tij qeveritar, në këtë përbërje:

Besnik Bislimi – Zëvendëskryeministër i parë për Integrime Evropiane për Zhvillim dhe Dialog;
Donika Gërvalla – Zëvendëskryeministre e dytë dhe Ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës;
Emilja Rexhepi – Zëvendëskryeministre e tretë për çështjen e Pakicave dhe të Drejtave të Njeriut;
Hekuran Murati – Ministër i Financave dhe Trasfereve;
Albulena Haxhiu – Ministre e Drejtësisë;
Arben Vitia – Ministër i Shëndetësisë;
Arbëria Nagavci – Ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit;
Hajrullah Çeku – Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit;
Elbert Krasniqi – Ministër i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal;
Liburn Aliu – Ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor;
Faton Peci – Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural;
Armend Mehaj – Ministër i Mbrojtjes;
Xhelal Sfeqla – Ministër i Punëve të Brendshme;
Rozeta Hajdari – Ministre e Ndërmarrësisë dhe Tregëtisë;
Artane Rizvanolli – Ministre e Ekonomisë;
Goran Rakic – Ministër për Komunitete dhe Kthim;
Fikrim Damka – Ministër i Zhvillimit Rajonal.

Më pas, fjalën e morën përfaqësusit e subjekteve politike dhe deputetët që shprehen interesim për të diskutuar rreth formimit të Qeverisë.

Nga grupi parlamentar i LVV-së fjalën e mori deputetja Mimoza Kusari-Lila, e cila tha se qytetarët në zgjedhjet e fundit kanë bërë me dije se vullneti i tyre duhet të dëgjohet, vlerësohet dhe respektohet. Ajo theksoi se demokracia, qeverisja e mirë dhe modernizimi nuk mund të importohen dhe imponohen nga jashtë, por ato duhet të burojnë nga brenda nga vet ne. Andaj, ajo u bëri ftesë të gjithë deputetëve të Kuvendit që të jenë bashkë në këtë rrugëtim, që është një faqe e re e historisë së Kosovës.

Nga grupi parlamentar i PDK-së, fjalën e mori deputeti Enver Hoxhaj, i cili uroi për konstituimin e Kuvendit dhe përmendi se së fundi janë parë dy modele të qeverisjes, ai i Kurtit dhe ai Hotit, të cilat, sipas tij, rezultuan të jenë paafta dhe të pa plan për sfidat e brendshme dhe jashtme.

Ekspozenë e paraqitur nga Kurti, Hoxhaj e quajti ekspoze dëshirash dhe pa ndonjë plan konkret, filluar këtu nga sfera e shëndetësisë e deri tek sfera e politikave të jashtme. Hoxhaj këtë e quajti mungesë të vetëdijës politike dhe listoi disa nga problematikat që sipas tij, nuk ishin të përfshira në ekspozen e Kurtit.

Ai, po ashtu tha se vullneti i popullit do të respektohet para dhe pas zgjedhjeve dhe se PDK-ja do ta bëjë një opozitë që do të jetë zëri i të gjithë qytetarëve, pa marrë parasysh preferencat e tyre politike.

Nga grupi parlamentar i LDK-së, fjalën e mori deputeti Lumir Abdixhiku, i cili theksoi rëndësinë e respektimit të vullnetit të popullit dhe rolin që do të ketë LDK-ja si opozitë në mbarëvajtjen e punëve në Kuvend. Ai përmendi se subjekti me të cilin udhëheq do të ketë rol konstruktiv, duke qenë kërkues, kritikues dhe refuzues në proceset e nevojshme politike.

Ai iu adresua LVV-së duke iu thënë se “presim nga ju zgjidhje për të gjitha problemet e ngritura” dhe iu kërkoi trajtim të njëtrajtshëm dhe zgjidhje për çështjet në ekonomi, shëndetësi, arsim, rezulutat e ngritura dhe mos stabilitetin politik, që sipas tij, pikërisht zgjedhjet e shpeshta e kanë krijuar atë. Në fund të fjalimit, deputeti Abdixhiku tha se LDK-ja do të mbetet zë mbrojtës i pakompromis i shtetësisë së Kosovës, rendin të saj kushtetues, simboleve dhe organizimit territorial.

Nga Lista serbe, deputetëve iu drejtua deputeti Igor Simiq. Ai tha se nuk e mbështesin Albin Kurtin për kryeministër, ndërsa paralajmëroi se do të ankohen në Gjykatë Kushtetuese, pasi ky i fundit nuk i ka dhënë dy ministri pakicave serbe.

Ai tha se Kurti po u shkel të drejtën për dy ministri, të cilat, sipas tij, u takojnë nga rezultati i zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Nga Grupi Parlamentar i AAK-së fjalën mori deputetit Besnik Tahiri, që po ashtu uroi deputetët për mandatin e ri. Ai tha se seanca e sotme ka filluar me një rend jo demokratik, pasi që diskursi i fituesit të zgjedhjeve, sipas tij, ishte përjashtues dhe i shtyer nga logjika populiste. Ai konsideroi ekspozenë e Kurtit të papërmbajtje dhe tha se si grup parlamentar refuzojnë këtë qasje politike të njëanshme dhe autoritare, e që si e tillë, sipas tij, nuk i shërben vendit.

Tahiri tha se do të jenë opozitë kritikuese që vepron në të mirë të vendit.

Në emër të komuniteteve jo shumicë, jo serbe, fjalën e mori deputetja Fidan Jilta, e cila i dha mbështetje qeverisë së propozuar.

Pas diskutimit të grupeve parlamentare, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, kërkoi nga deputetët e Listës serbe që të votohet lidhur me propozimin për minister nga radhët e komunitetit serb, përkatësisht të të propozuarit Goran Rakiq, me ç’rast ky i fundit arriti të siguroi votat e nevojshme për këtë pozitë.

Më pas, kryesuesi i seancës, Konjufca, hodhi në votim përbërjen e propozuar të qeverisë.

Nga 107 deputetë të pranishëm në sallë, në votim me ngritje dore, 67 prej tyre votuan për, 30 ishin kundër, ndërsa asnjë deputet nuk abstenoi.

Pas votimit të suksesshëm të qeverisë, kryeministri i zgjedhur Kurti, lexoi tekstin e betimit para deputetëve të pranishëm.

Punimet u mbyllën pas fjalimit të tij falënderues dhe mirënjohës ndaj qytetarëve votues dhe ndaj besimit të deputetëve për të dhe qeverinë që do të drejtojë.

Kurti në këtë fjalim, tha se do të udhëheq me parime dhe besim mbi bazën e vullnetit të popullit, vendimet do t’i bazojë në fakte dhe në shkencë dhe çdo herë do të jetë i hapur për të gjithë.

Po ashtu, ai tha se do të bashkëpunojmë ngushtë me opozitën dhe shoqërinë civile, duke kërkuar kështu koordinim dhe konsensus sidomos në raport me Serbinë, politikat për arsim dhe të gjitha çështjet tjera jetike për qytetarët.

“Nuk mund të pushojmë pa e bërë Kosovën vendin që e ëndërruan dëshmorët, andaj duhet të bashkohemi në bërjen e shtetit ashtu siç e ëndërruam dhe e dëshiruam”, tha tutje në fjalimin përmbyllës, kryeministri Kurti.

Lexo më shumë:

Të ngjashme